Nga Dr. Jorgji KOTE| ARGUMENTUM
Mjeshtër i Madh në Diplomaci
Po, mund të thuhet me plot gojën se falë shumë akteve, fakteve, veprimeve dhe demarsheve diplomatike në disa fusha jetike, Azerbajxhani është vërtet aktor dhe faktor i rëndësishëm gjeopolitik në Kaukazin Jugor dhe më gjerë në arenën ndërkombëtare. Dëshmia më e freskët për sa sipër ishte dakordësimi dhe siglimi më 8 Gusht në Shtëpinë e Bardhë i Memorandumit të Paqes me Armeninë, në praninë e Presidentit Trump, të Presidentit azer Ilham Aliev dhe Kryeministrit armen Nikol Pashinyan.
Ky Memorandum, kurorëzim i bisedimeve disa mujore ndërmjet dy vendeve është arritje e rëndësishme paqebërëse me jehonë dhe rrjedhoja madhore edhe për zgjidhjen e konflikteve të tjera në Europë dhe më gjerë.
Rëndësia e kësaj marrëveshjeje bëhet akoma më e madhe kur i referohesh historikut të hidhur prej mbi 3 dekadash të armiqësive midis këtyre dy vendeve; ca më tepër duke patur parasysh vendndodhjen e tyre në pozicione kyçe gjeostrategjike, katalogun fatkeq me 6 luftra dhe humbjet e mëdha njerëzore, materiale dhe territoriale për të dyja palët.

Në këtë shkrim po ndalemi te Azerbajxhani, vend me tradita të vlerësuara, shteti i parë që në vitin 1918 njohu të drejtën e votimit për gratë, 2 vjet përpara SHBA-ve dhe 10 vite përpara Britanisë së Madhe. Si Republika e parë demokratike myslimane sekulare e krijuar qysh në vitin 1918 por që në vitin 2020 u përfshi me forcë në Bashkimin Sovjetik.
Jehona e gjerë ndërkombëtare e Marrëveshjes së Paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë e cila u arrit dhe falë ndërmjetësimit të Presidentit Trump shpjegohet me shumë shkaqe dhe faktorë, duke filluar me armiqësitë që kanë qenë bashkëudhëtare të këtyre dy vendeve, politikës dhe ushtrive të tyre gjatë 35 viteve të fundit pas shpërbërjes së ish Bashkimit Sovjetik. Në këtë sfond armiqësish veçohen trazirat, grindjet dhe konfliktet e përhershme lidhur me fatet e Rajonit autonom të Nagorni Karabakut dhe enklavës azere, Nakhchivan, më e madhja në botë me një sipërfaqe prej 5500 km katrore, e cila ndodhet vetëm 44 km larg Azerbajxhanit. Rikujtojmë këtu deportimet në masë sidomos pas Luftës së vitit 1988 – 1989, shkatërrimet pas Luftës për Karabakun më 1994, luftën dy mujore në shtator 2022, atë 44 ditore në vitin 2020, çvendosjet e popullsisë, shkatërrimin e objekteve kulturore, kishtare dhe fetare azere, të zhdukurit dhe të vrarët e shumtë nga të dyja vendet dhe incidente të tjera.
Ishte pikërisht ky intensitet dhe kompleksitet i akumuluar i krizës azero-armene që ka “nxjerrë jashtë loje“ dhe ka zhvleftësuar shumë demarshetë mëparshme diplomatike të Rusisë, Turqisë, BE-së, dhe SHBA-ve, dhe sidomos Marrëveshjen e tyre të Minskut në vitin 1994 dhe deri tani vonë. Si pasojë e mospajtimeve të shumta ndërmjet udhëheqësive të dy vendeve, as ndërmjetësimi ndërkombëtar nuk ka qenë në gjendje të prodhojë ndonjë rezultat, ca më pak afat-gjatë.
Duke hapur një digresion, është koincidencë fatkeqe për Minskun si vend ndërmjetësues lidhur me marrëveshjet e paqes; themi kështu mbasi edhe në vitin 2015-2016, Marrëveshjet ndërkombëtare Minsk 1 dhe 2 të Formatit të Normandisë, me pjesëmarrjen e Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Ukrainës dështuan të realizonin pajtimin dhe të parandalonin agresionin rus kundër Ukrainës më 24 Shkurt 2022. Ai agresion i zhvleftësoi të dyja ato marrëveshje, duke e kthyer kështu Minskun në një ”ters“ të vërtetë gjeopolitik.
Ashtu siç u përmend dhe më lart, ish rajoni i pavarur Karabakut me vetëm 145.000 banorë dhe 4400 km katrore ka qenë vazhdimisht “mollë e madhe sherri“ ndërmjet dy vendeve me pretendime dhe kundërveprime të shumta. Si një mbeturinë e madhe me pasoja qysh nga kohët sovjetike, kur ndonëse në territorin azerbaixhanas ai kishte shumicën e popullsisë armene. Derisa më së fundi Azerbaixhani e rimori atë në vitin 2023. Këtu është vendi të sqarojmë se nga Azerbaxhani nuk ka patur keqtrajtim dhe shtypje mbi popullsinë armene atje.
Gjithashtu, është tejet e rëndësishme të theksohet se qeveria dhe autoritetet shtetërore azere po bëjnë çmos që të mos mbeten skllevër të së kaluarës së hidhur; natyrisht i referohen asaj vazhdimisht por vetëm që të nxirren mësime nga pësimet, për të sqaruar me qetësi se ku kanë gabuar të dyja palët dhe kryesorja mbi këtë bazë më vështrimin nga e ardhmja të punojnë bashkë për paqe, siguri, stabilitet dhe mirëqenie ekonomike për popujt e të dyja vendeve dhe pakicat kombëtare, duke përfshirë dhe enklavat.
Këtë politikë paqebërëse Bakuja diplomatike po e ndjek me konseguencë në qetësimin dhe stabilizimin e marrëdhënieve si me Armeninë, ashtu dhe me Rusinë, Iranin, Turqinë dhe vendet e tjera në rajon.
Mbi këtë bazë, me qëllim që Memorandumi i Paqes i 8 Gushtit të kthehet në marrëveshje dhe të vihet në zbatim, lidershi azer ka kërkuar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare që Armenia të bëjë ndryshimet e duhura kushtetuese, duke hequr dorë nga çdo pretendim territorial, dhe konkretisht Nagorni Karabakun, si kusht të Bakusë për nënshkrimin dhe ratifikimin e Marrëveshjes në fjalë.
Kjo ka rëndësi, mbasi, siç tregon përvoja e 35 viteve të fundit, nëse vazhdohet me gjuhën “majë më majë“, me retorikën boshe të të kaluarës, atëhere asgjë e mirë nuk do t‘u vijë këtyre dy vendeve dhe gjithë rajonit përreth. Ndonëse të dyja vendet kanë burime dhe pasuri të mëdha natyrore dhe vlera të shumta kulturore, politikat miope dhe agresive për territore, vetëm se do t‘i privojnë të dyja nga avantazhet politike, diplomatike, ekonomike dhe ushtarake.
Duket qartë se liderët politikë të Azerbaixhanit e kanë kuptuar drejt këshillën e Ajnshtajnit se “paqja nuk mbahet me forcë por me mirëkuptim“ dhe të ish Senatorit të famshëm amerikan William Fulbright se “mirëkuptimi i ideve tuaja krijon më shumë siguri se nëndetëset“
Kjo shihet qartë edhe në diskurset politike, në intervistat televizive dhe fjalimet në organizatat ndërkombëtare të Presidentit Ilham Aliev dhe zyrtarëve të lartë azerë.
Këtë qasje vizionare dhe të guximshme, Bakuja zyrtare po e tregon dhe muajt e fundit pas tendosjes së paparë të marrëdhënieve me Rusinë, me të cilën ka shkuar tradicionalisht mjaft mirë. Ky tensionim nga pala ruse filloi pas rrëzimit më 25 Dhjetor 2024 në Rusi të një avioni komercial të Azerbajxhanit që ishte nisur drejt Groznit, ku humbën jetën 38 vetë dhe u plagosën shumë të tjerë. Megjithë këmbënguljen dhe kërkesat e vazhdueshme azere për nxjerrjen e përgjegjësisë dhe kompensimin financiar të familjeve dhe të plagosurve, siç e kërkon e drejta ndërkombëtare përkatëse dhe siç ka vepruar më parë Azerbaixhani ndaj Rusisë. Mirëpo, me përjashtim të një ndjese të vonuar, Moska nuk e ka bërë dhe nuk pranon ta bëjë një gjë të tillë. Madje, ajo ka përshkallëzuar sulmet dhe keqtrajtimet ndaj qytetarëve azerë në Rusi, siç ishte rasti në Ekaterinburg, ku u vranë dy prej tyre, bombardimi i depove me naftë të Azrbajxhanit në Ukrainë, etj.
Natyrisht që dhe Bakuja i është përgjigjur me dinjitet këtyre sulmeve duke ndërmarrë masat e saj të drejta ndaj veprimeve keqdashëse ruse. Në fakt, pas këtij demostrimi force nga ana e Rusisë fshihet pakënaqësia dhe xhelozia për shkak të afrimit të natyrshëm të Azerbajxhanit me SHBA-të dhe BE-në, si dhe stabilizimin dhe forcimin e marrëdhënieve me vendet fqinje. Falë këtyre qëndrimeve të matura dhe vizionare në kërkim të paqes dhe stabilitetit rajonal nga ana e Azerbajxhanit është rritur imazhi dhe prestigji i tij në arenën ndërkombëtare, duke e kthyer atë në një aktor dhe faktor aktiv e në disa raste edhe përcaktues në atë rajon të trazuar.
Mirëpo kjo ka zbehur rolin dhe ndikimin rus në Azerbaixhan, në Armeni dhe në vendet e tjera ish sovjetike, çka e ka acaruar Moskën, e cila po kërkon shpagim. Mirëpo, përballë diplomacisë së butë dhe qetësuese të Bakusë, mbështetjes së saj nga vendet e tjera, dhe sidomos SHBA-të dhe BE-ja, diplomacia e forcës dhe imponimit nga Moska nuk ka gjasa të funksionojë ndaj Azerbajxhanit. Ca më tepër se Presidenti Aliev me përvojën dhe lidershipin e tij të matur dhe autoritetet e tjera të larta në Baku janë treguar shumë të përmbajtur, duke tentuar në çdo hap çtensionimin e gjendjes, pa “i hedhur benzinë zjarrit“ me qëllim që të ruhen balancat e brishta gjeopolitike në atë rajon dhe më gjerë.
Me këtë rast, le të theksojmë se se pa përjashtuar ndonjë tepërim në të kaluarën, Azerbajxhani i është përmbajtur vazhdimisht dispozitave të mirënjohura të dokumentave themelore ndërkombëtare – Kartës së OKB-së, Aktit Final të Helsinkit dhe OSBE-së, Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Europës dhe të Grupit të Minskut. Këtë politikë ata po vazhdojnë ta ndjekin madje më mirë dhe tani, 3 muaj pas Marrëveshjes së Paqes me Armeninë. Presidenti Aliev në disa prononcime dhe në një intervistë të gjatë të kohëve të fundit ka hedhur qartazi konturet dhe synimet politike, ekonomike dhe diplomatike të vendit të vet, si kundrejt Armenisë ashtu dhe vendeve të tjera fqinje.
Ka disa shenja dhe mesazhe që tregojnë se liderët azerë, por pse jo, edhe Kryeministri armenian Nikol Pashinyan e kanë kuptuar drejt se në vend të blloqeve pengues, paqja e qëndrueshme kërkon blloqe ndërtues, rrugë, infrastrukturë, shtimin e lidhshmërisë së territoreve dhe enklavës së Nakhchivanit dhe të komunikimit mes njerëzve; me synim afrimin e tyre, mirëkuptimin dhe krijimin e masave të besimit, një nga parimet e shenjta të OSBE-së.
Ndaj, Azerbajxhani vazhdon të ndërtojë shumë ura, bypase, në vend të mureve dhe gardheve që ka gjetur. Në këtë linjë veprimi, ai ka hartuar dhe po zbaton projekte interesante infrastrukturore nga veriu në jug dhe nga Lindja në Perëndim, me qëllim që të shpeshtohen dhe modernizohen lidhjet me të gjitha vendet përreth. Kësisoj, ajo po krijon një traditë të mirë, duke kombinuar modernizimin infrastrukturor me shkëmbimet ekonomiko-tregtare dhe ato kulturore, shumë të rëndësishme, sepse janë ato që “shtrojnë trasene“ për klimën dhe mjedisin e duhur, duke shtuar kësisoj mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë ndaj njeri tjetrit.
Të gjitha këto masa dhe emërtimi i autostradës që do të lidhë të dy vendet si « Korridori Trump për Paqe dhe Begati Ndërkombëtare» (Trump Route for International Peace and Prosperity)» ose TRIPP, të shoqëruar me garantimin e të drejtave për zhvillim projektesh pë një periudhë 99 vjeçare për SHBA-të, synon, veç të tjerash, të gërryejë ndikimin rus në të dy këto vende dhe në rajon dhe rritjen e ndjeshme të pranisë ekonomike amerikane. Padyshim që kjo është kthesë gjeopolitike shumë e mirëpritur. Po ashtu, kjo është mësim i vyer edhe për vende të tjera për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të ndryshme, në favor të paqes, edhe pse ajo asnjëherë nuk është e përkryer dhe kundër çdo konflikti dhe lufte. Sepse, siç thoshte Beniamin Franklin “nuk ka luftë të mirë dhe paqe të keqe“!
Këto veprime dhe zhvillime në kuadrin e diplomacisë ekonomike, kulturore, të imazhit, etj janë shenja premtuese dhe bindëse që tregojnë se Azerbajxhani po bën përpjekje konkrete shumëplanëshe për krijimin e një mjedisi, klime dhe atmosfere më nxitëse për zgjidhjen e problemeve të akumuluara mes këtyre dy vendeve.
Lidhur me diplomacinë ekonomike, dihet se edhe BE-ja e ka përdorur gjerësisht, ndonëse jo përherë me sukses, sidomos në rastin e Rusisë, me mendimin naiv se falë nxitjes së bashkëpunimit ekonomik, Rusia nuk do të sulmonte kërkënd, sepse do të kishte dhe do të vendoste interesat dhe begatinë ekonomike mbi gjithçka.
Diplomacisë ekonomike i ka kushtuar përparësi edhe Presidenti Trump, sidomos me Marrëveshjet Abrahams me vendet arabe në Presidencën e tij të parë dhe tani me doktrinën e Transaksionalizmit. Megjithatë, edhe pse në parim dhe si frymë kjo qëndron dhe është e drejtë, sepse përputhet me aspiratat e popujve për mirëqenie dhe paqe, në praktikë nuk ndodh gjithmonë kështu. Sidomos në vende ku rrënjët dhe shkaqet reale të një krize dhe konflikti nuk qëndrojnë te ekonomia, por te faktorë të akumuluar historikë, politikë, armiqësia tradicionale, mosbesimi, urrejtja klasore, etnike, nacionalizmi, etj.
Ja pse, pa hequr dorë nga zhvillimi, bashkëpunimi dhe modernizimi ekonomik, ku Azerbajxhani po jep një shembull referues, për një paqe të vërtetë dhe afat-gjatë me Armeninë duhen vazhduar përpjekjet veçanërisht për afrimin dhe pajtimin mes dy popujve, duke shmangur tabutë, paragjykimet, mosbesimin dhe të dukuri të tjera penguese. Dhe kjo bëhet jo me tanke, aviona dhe nëndetëse, por kryesisht nëpërmjet “diplomacisë së butë, qytetare, kulturore dhe të sharmit“; por gjithmonë mbi bazën e vullnetit politik të ndërsjellë. Pikërisht këtë po synon dhe Azerbajxhani, si me politikën e brendshme ashtu dhe në atë të jashtme.
Këto ide dhe mendime nuk po i shtroj vetëm duke iu referuar burimeve të shumta diplomatike dhe mediatike, por edhe sepse si diplomat në 30 vitet e fundit në Bruksel, Berlin dhe gjetkë kam qenë i pranishëm në shumë evente ekonomike dhe kulturore të organizuara në kryeqytetin europian nga qeveria dhe diplomacia e Azerbajxhanit me jehonë dhe ndikim të madh, sidomos në fushën e naftës dhe energjitikës. Aty kam parë më nga afër rolin përcaktues të këtyre veprimtarive shumëpalëshe në kuptimin dhe vlerësimin e drejtë të avantazheve të shumta që ofron paqja dhe bashkëpunimi ekonomik dhe kulturor mes popujve, sidomos mes fqjnjëve, pavarësisht nga armiqësitë dhe ndasitë e të kaluarës.
Nisur nga sa sipër, ndryshe nga rastet negative nga e kaluara e tyre, ekziston një besim më i madh se Marrëveshja e Paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë do të funksionojë dhe do të jetë afat-gjatë; madje, duke çelur rrugë dhe mundësi të reja edhe më të mëdha për begatinë dhe lulëzimin ekonomik të dy vendeve dhe gjithë zonës përreth tyre. Me rrjedhoja tejet pozitive për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, të shoqëruar me rritjen e ndjeshme të nivelit social dhe ekonomik në të gjitha vendet e atij rajoni nevralgjik gjeopolitik. Gjithsesi, pa përjashtuar rolin e Bakusë zyrtare, “topi“ tani është në fushën e Jerevanit diplomatik.
© 2025 Argumentum





























































