Për Kosovën është “absurd”, për Serbinë është “mesazh politik që kërkon përgjigje nga shteti”.
Këto janë reagimet e deritashme të zyrtarëve të dy shteteve ndaj kërkesës së Listës Serbe, partisë udhëheqëse të serbëve të Kosovës, që Qeveria e Serbisë ta shpallë Policinë e Kosovës organizatë terroriste.
Kërkesa e Listës Serbe u publikua pak ditë pasi Qeveria e Kosovës, më 29 qershor, shpalli terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, dy organizata për të cilat besohet se veprojnë në veri të Kosovës.
Akuzat për terrorizëm u bënë në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, por edhe në kohën kur bashkësia ndërkombëtare pret zbatimin e marrëveshjes dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Çfarë kanë thënë zyrtarët e Kosovës dhe Serbisë?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur “absurde” kërkesën e Listës Serbe, më 5 korrik.
Për ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, kjo kërkesë është mesazh politik që kërkon reagimin e shtetit të Serbisë.
Më 3 korrik, Daçiq tha për televizionin B92 se qëllimi i Prishtinës është që organizatat e caktuara nga veriu i Kosovës të shpallen “terroriste”, për të shkaktuar frikë dhe zhvendosje të serbëve nga ajo hapësirë.
Daçiq pyeti nëse Beogradi duhet t’i publikojë emrat e të gjithë shqiptarëve që, sipas tij, “përgjatë viteve demonstruan kundër Serbisë”, si dhe se “serbët kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre politike”.
Naim Leo Beshiri, nga Instituti joqeveritar për Çështje Evropiane në Beograd, vlerëson për Radion Evropa e Lirë (REL) se pas deklaratave të ministrit Daçiq nuk qëndron strategjia e qartë e politikës së jashtme të Serbisë dhe se ato u shërbejnë “qëllimeve të politikës ditore”.
“Daçiq po i dërgon mesazh komunitetit ndërkombëtar se mënyra se si Kurti (kryeministri i Kosovës) po e udhëheqë politikën gjatë muajve të fundit, po e rrezikon dialogun”, thotë ai.
Kërkesa e Listës Serbe, “oportunizëm politik”
Lista Serbe, më 3 korrik, ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që “njësitë speciale” të Policisë së Kosovës, strukturat e inteligjencës dhe të gjithë “bashkëpunëtorët e atyre strukturave” t’i shpallë “organizata terroriste sepse kërcënojnë paqen në këto hapësira”.
Lista Serbe nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se a ka marrë nga Qeveria e Serbisë përgjigje lidhur me kërkesën e saj.
Ndryshe, tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës është një nga kërkesat e serbëve të Kosovës, me qëllim që, siç theksojnë ata, të ulen tensionet.
Por, Bojan Elek nga Qendra joqeveritare për Politikë të Sigurisë në Beograd, beson se Lista Serbe, me veprime të tilla, po përpiqet të përfitojë nga situata dhe të përshkallëzojë edhe më tej situatën, kur Kosova është “nën presion të madh ndërkombëtar”.
“Është oportunizëm politik që nuk ka asnjë efekt. Madje, edhe nëse Qeveria e Serbisë pajtohet, Serbia nuk ka asnjë pushtet ekzekutiv në Kosovë”, tha Elek për Radion Evropa e Lirë.
Kosova, aktualisht, po përballet me masa ndëshkuese të vendosura nga BE-ja për shkak të, siç është thënë, mospërmbushjes së kërkesave për shtendosjen e situatës në veri të vendit.
BE-ja pezulloi përkohësisht punën e të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, që është hapi i parë drejt anëtarësimit të Kosovës në bllok, si dhe thirrjet për pjesëmarrjen e Kosovës në takimet e nivelit të lartë.
Gjithashtu, BE-ja pezulloi fonde të caktuara, të planifikuara për Kosovën.
Naim Leo Beshiri, nga Instituti për Çështje Evropiane në Beograd, thotë se nuk ka bazë për një kërkesë të tillë të Listës Serbe, parti politike që funksionon në kuadër të “kornizës kushtetuese të Kosovës”.
“Kjo është përgjigja e tyre populiste ndaj shpalljes së organizatave në veri të Kosovës si terroriste. Nuk është asgjë e papritur, por sigurisht që nuk kontribuon në qetësimin e tensioneve”, thotë ai.
Beshiri, po ashtu, thekson se Serbia, në mënyrë “teknike” mund t’i shpallë njësitë speciale të Kosovës organizatë terroriste, por kjo do të shkaktonte tallje nga organizatat ndërkombëtare.
“Çfarë efekti do të kishte kjo në forcat e Kosovës? Pothuajse kurrfarë efekti”, thotë ai.
Edhe vendimi i Kosovës “pa efekt”
Beshiri shton se edhe vendimi i Kosovës për t’i shpallur organizatat në veri të Kosovës si terroriste, nuk prodhon efekt të veçantë në Serbi.
“Ato grupe njerëzish marrin mbështetjen nga Beogradi, jo vetëm politikisht, por me siguri edhe nga shërbimet e sigurisë”, thotë ai.
Paraprakisht, “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” në Kosovë janë shpallur terroriste.
“Mbrojtja civile” është shpërbërë zyrtarisht në veri të Kosovës në vitin 2015/16, bazuar në Marrëveshjen e Brukselit në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Marrë me shkurtime nga REL





























































