Nisma “UN80” duhet të trajtojë shqetësimet e vendeve në zhvillim, të cilat përbëjnë dy të tretat e anëtarësisë së OKB-së, thuhet në një deklaratë të lexuar të enjten nga përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara Fu Cong.
Ai e mbajti deklaratën në emër të Grupit të Miqve të Qeverisjes Globale të sapokrijuar, gjatë një seance informimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së mbi këtë nismë.
“Nisma ‘UN80’ vjen në një moment kur bota ka hyrë në një periudhë të re turbullirash dhe transformimi”, vihet në dukje në deklaratë, duke shtuar më tej që qëllimi i nismës duhet të pasqyrojë aspiratat e shumicës dërrmuese të shteteve anëtare të OKB-së: mbështetja e multilateralizmit, forcimi i Kombeve të Bashkuara, mbrojtja e sundimit ndërkombëtar të ligjit dhe përmirësimi i qeverisjes globale.
Nisma “UN80” është një përpjekje për një gamë të gjerë reformash, e nisur me rastin e 80-vjetorit të themelimit të OKB-së.
Në deklaratë, grupi theksoi tre pika kryesore: nisma duhet të përqendrohet në përmirësimin si të efektivitetit, ashtu edhe të efikasitetit të punës së OKB-së, duhet të trajtojë shqetësimet e vendeve në zhvillim dhe procesi i saj duhet të mbetet transparent dhe përfshirës.
Grupi i Miqve të Qeverisjes Globale u themelua zyrtarisht në selinë e OKB-së në Nju-Jork të martën./CGTN





























































