Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi të martën në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, marrëveshjen e sigurisë me Danimarkën dhe Groenlandën, duke e cilësuar këtë si një ditë historike për sigurinë kombëtare amerikane.
Trump nënshkroi marrëveshjen së bashku me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, dhe kryeministrin e Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen. Marrëveshja i jep Shteteve të Bashkuara një rol shumë më të gjerë në sigurinë dhe mbrojtjen e Groenlandës, përfshirë zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane në ishull.
Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, përpara ceremonisë së nënshkrimit, Trump tha se marrëveshja i jep SHBA-së “kontroll të përhershëm mbi sigurinë dhe të gjitha nevojat e tjera” të Groenlandës.
Sipas marrëveshjes, Uashingtoni mund të krijojë dy zona të reja mbrojtjeje në Narsarsuaq dhe Mestersvig, ndërsa do të zgjerojë dhe modernizojë praninë në bazën ekzistuese amerikane Pituffik Space Base. Marrëveshja parashikon gjithashtu mundësinë e vendosjes së sistemit amerikan të mbrojtjes raketore “Golden Dome” në Groenlandë.

Trump deklaroi gjithashtu se asnjë kundërshtar i SHBA-së nuk do të lejohet të krijojë prani ushtarake apo të kryejë investime të ndjeshme strategjike në Groenlandë pa miratimin amerikan. Në këtë kuadër, marrëveshja shihet si një përpjekje për të kufizuar praninë dhe ndikimin e Rusisë dhe Kinës në Arktik.
Megjithatë, marrëveshja nuk transferon sovranitetin e Groenlandës te Shtetet e Bashkuara. Groenlanda mbetet territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës, ndërsa udhëheqësit danezë dhe groenlandezë kanë theksuar se marrëveshja respekton sovranitetin dhe të drejtën e popullit groenlandez për vetëvendosje.

Marrëveshja shënon një kthesë në krizën disa-mujore mes Uashingtonit, Kopenhagës dhe Nuuk-ut, e cila nisi pas deklaratave të përsëritura të Trumpit për marrjen e Groenlandës nën kontrollin amerikan. Në vend të aneksimit, marrëveshja e re i jep SHBA-së një prani dhe rol shumë më të madh ushtarak në ishull.
Për Uashingtonin, Groenlanda ka rëndësi të veçantë strategjike për shkak të pozicionit të saj mes Amerikës së Veriut, Evropës dhe Arktikut, ndërsa ishulli konsiderohet gjithashtu i pasur me burime minerale strategjike.
“Një ditë historike për Amerikën dhe sigurinë kombëtare. E nënshkruar, e vulosur dhe e dorëzuar!”, shkroi Shtëpia e Bardhë pas ceremonisë së nënshkrimit.
© 2026 Argumentum





















































