SPAK ka goditur në nivelet më të larta të strukturës së sigurisë shqiptare, duke çuar në GJKKO drejtuesen në detyrë të SHISH, Vlora Hyseni, nën masën “arrest në shtëpi” dhe pezullim nga detyra.
Brenda pak orësh, drejtimi i Shërbimit Informativ të Shtetit kaloi nga një situatë hetimore në një ndryshim të plotë institucional. Vlora Hyseni, e cila drejtonte SHISH prej gati tre vitesh, u përball të martën me masën e “arrestit në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra, ndërsa gjatë së njëjtës ditë Kryeministri Edi Rama njoftoi lirimin e saj nga posti dhe Presidenti Bajram Begaj formalizoi shkarkimin.
Shpejtësia e këtij zinxhiri institucional e bën zhvillimin e sotëm më shumë se një ndryshim në krye të SHISH. Ai tregon edhe për nevojën që një hetim ndaj një drejtuesi të mos identifikohet me vetë institucionin që ai drejton. Në rastin e SHISH, ku besueshmëria, informacioni i klasifikuar dhe marrëdhëniet me partnerët e sigurisë janë pjesë thelbësore e funksionimit, distancimi institucional nga një çështje individuale merr një peshë të veçantë.
Çështja ngre edhe një pyetje për vetë SHISH-in: ku përfundon përgjegjësia individuale e drejtueses dhe ku nis përgjegjësia institucionale? Në këtë fazë, hetimi i SPAK është ndaj Vlora Hysenit si individ. Nëse gjatë hetimit do të rezultojë se veprimet e dyshuara kanë përfshirë edhe struktura apo funksionarë të tjerë të shërbimit, atëherë çështja mund të marrë një dimension më të gjerë institucional.
Në mëngjes, GJKKO caktoi ndaj Hysenit masën e “arrestit në shtëpi”, së bashku me pezullimin nga detyra. Sipas njoftimeve të publikuara nga SPAK, masa lidhet me një procedim penal në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t dhe me dyshimet për veprat penale të “përkrahjes së autorit të krimit” dhe “nxjerrjes së sekretit hetimor”.
Në momentin kur masa u bë publike, Hyseni nuk ndodhej në Shqipëri. Ajo ishte në Baku të Azerbajxhanit, ku merrte pjesë në një konferencë me drejtues të shërbimeve informative nga vende të ndryshme. Për këtë arsye, masa e sigurisë nuk ishte ekzekutuar menjëherë.
Ndërkohë, nga Nju Jorku, ku ndodhet për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kryeministri Edi Rama njoftoi lirimin e menjëhershëm të Hysenit nga detyra. Vendimi politik parapriu formalizimin institucional të largimit, i cili erdhi disa orë më vonë nga Presidenca.
Në mbrëmje, Presidenti Bajram Begaj dekretoi shkarkimin e Vlora Hysenit nga detyra e Drejtorit të SHISH, me propozim të Kryeministrit. Kështu, ajo që në mëngjes ishte një masë gjyqësore ndaj drejtueses së shërbimit, në fund të ditës u shndërrua në një ndryshim të formalizuar në krye të institucionit.

Në të njëjtën ditë u përmbyll edhe pjesa tjetër e procedurës. Pas kthimit nga Kosova, ish-kryetarja e SHISH, Vlora Hyseni, iu dorëzua autoriteteve shqiptare në pikën kufitare të Morinës, ku iu komunikua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, e vendosur më herët nga GJKKO.
Ritmi i zhvillimeve është ajo që e veçon këtë rast, duke bërë që shteti të veprojë në mënyrë të menjëhershme për të larguar nga detyra drejtuesen e SHISH.
Përgjegjësitë konkrete të Vlora Hysenit do të përcaktohen nga hetimi dhe procesi gjyqësor. Masat e sigurisë dhe dyshimet e ngritura nga SPAK nuk përbëjnë një vendim fajësie. Por, pavarësisht përfundimit të çështjes penale, drejtimi i SHISH tashmë ka hyrë në një fazë të re.
Brenda një dite, kapitulli Hyseni në krye të SHISH u mbyll; sfida e radhës është garantimi i vijimësisë së institucionit dhe përcaktimi i drejtuesit të ri.
© 2026 Argumentum





















































