Të mërkurën, drejtori ekzekutiv i Sekretariatit të APEC-ut Eduardo Pedrosa dha një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG). Ai vlerësoi lart kontributin e Kinës për APEC-un dhe theksoi se, që nga anëtarësimi në APEC, Kina ka marrë pjesë aktivisht në punën e kësaj organizate.
Eduardo Pedrosa shprehu admirim për propozimet e paraqitura nga presidenti kinez Xi Jinping mbi globalizimin ekonomik dhe zgjerimin e hapjes. “Jam i mendimit se propozimet e paraqitura nga presidenti Xi Jinping kanë rëndësi të madhe. Ato lidhen me të ardhmen, hapjen e integrimin rajonal dhe me rolin mbështetës të Azi-Paqësorit për ekonominë e hapur botërore,” u shpreh ai.
Duke folur për rolin e APEC-ut në përballimin e unilateralizmit e të proteksionizmit dhe për mbrojtjen e multilateralizmit e të ekonomisë së hapur, Pedrosa tha se koncepti i ekonomisë së hapur është gur themeli për APEC-un. Anëtarët do të vazhdojnë ta shfrytëzojnë këtë platformë për të sqaruar çështjet kryesore duke u fokusuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, theksoi ai, duke shtuar që, pa një platformë të tillë, dialogu dhe kërkimi i konsensusit do të jenë jashtëzakonisht të vështirë. Këtë vit, Takimi i 32-të Ekonomik i Liderëve të APEC-ut dhe vendi organizator, Koreja e Jugut, u përqendruan posaçërisht në çështjet kryesore me të cilat përballet rajoni, si për shembull, ekonomia digjitale dhe inteligjenca artificiale, të cilat janë që të dyja tema të nxehta aktualisht. Tani të gjithë anëtarët e përdorin inteligjencën artificiale në mënyra të ndryshme dhe me sisteme teknologjike e kontrolluese të ndryshme. Detyra e Sekretariatit të APEC-ut është sigurimi i bashkëpunimit APEC-ut për t’u sjellë popujve të rajonit përfitime prej inovacionit.
Duke folur për rolin e Kinës në APEC, Eduardo Pedrosa u shpreh se Azi-Paqësori është një motor i rëndësishëm për rritjen ekonomike botërore. Që nga anëtarësimi në APEC në vitin 1991, Kina ka promovuar gjithmonë liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë e investimeve në rajon, dhe tani është bërë partnerja kryesore tregtare dhe tregu më i madh i eksportit për shumicën e anëtarëve të APEC-ut. Në 9-mujorin e parë të vitit 2025 tregtia e mallrave e Kinës me ekonomitë e tjera të APEC-ut u shtua me 2 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 19.4 trilionë juanë, ose rreth 2.7 trilionë dollarë amerikanë./CGTN





























































