Të paktën 12 000 persona, shumë prej tyre nën 30 vjeç, janë vrarë gjatë protestave në Iran, deklaroi sot media opozitare ”Iran International”.
Kjo media, me seli në Londër e quan këtë “masakra më e madhe në historinë moderne të Iranit, e cila ndodhi kryesisht në netët e 8 dhe 9 janarit”.
Vlerësimi nga bordi editorial i ”Iran International” bazohet “në një analizë ekskluzive të burimeve dhe të dhënave mjekësore” dhe publikimi i tij u “vonua derisa provat të bashkoheshin”.
Ai u bazua në një analizë shumëfazore të raporteve nga burime të shumta, “përfshirë një pranë Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare”.
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, tha se ishte “i tmerruar” nga represioni.
“Vrasja e protestuesve paqësorë duhet të ndalet dhe është e papranueshme të etiketohen protestuesit si terroristë për të justifikuar dhunën kundër tyre”, tha ai në një deklaratë.
Përdorimi i municioneve të vërteta nga forcat iraniane të sigurisë për të shuar protestat është shoqëruar gjithashtu me një valë arrestimesh.
Sipas organizatës për të drejtat e njeriut ”Hengaw”, cituar nga BBC, një burrë 26-vjeçar, Efran Sultani, i arrestuar të enjten e kaluar, është dënuar tashmë me vdekje.
Sipas organizatës, familja është informuar se ekzekutimi do të bëhet nesër, megjithëse nuk kanë marrë asnjë informacion në lidhje me datën e gjyqit apo akuzat kundër tij.
“Nuk kemi parë kurrë një çështje të ecë kaq shpejt”, tha Awyar Shekhi për BBC-në.
“Qeveria po përdor çdo taktikë në dispozicion për të shtypur njerëzit dhe për të përhapur frikë”, theksoi ai./ATA





























































