Kina nisi të shtunën një satelit të ri meteorologjik nga Qendra e Lëshimit të Satelitëve Xichang në provincën Sichuan në jugperëndim të vendit.
Një raketë “Marshimi i Madh-3B”, që mbante satelitin “Fengyun-4 03”, u nis në orën 00:07 dhe e vendosi satelitin me sukses në orbitën e paracaktuar.
“Fengyun-4 03”, i zhvilluar nga Akademia e Teknologjisë së Fluturimeve Hapësinore e Shangait, është sateliti i tretë i serisë “Fengyun-4”, pas dy lëshimeve të mëparshme më 11 dhjetor 2016 dhe 3 qershor 2021.
I pajisur me katër instrumente për vëzhgimin e Tokës nga distanca dhe dy instrumente për vëzhgimin diellor, “Fengyun-4 03” është një përbës i rëndësishëm i brezit të ri të satelitëve gjeostacionarë meteorologjikë të Kinës.
Sateliti është projektuar kryesisht për parashikime afatshkurtra të motit, përfshirë tajfunet, reshjet e dendura dhe motin hapësinor. Ai do t’u bashkohet satelitëve të tjerë “Fengyun” në orbitë për të krijuar një rrjet më gjithëpërfshirës vëzhgimi meteorologjik, duke përmirësuar më tej aftësinë e Kinës për monitorim, parashikim dhe ofrimin e shërbimeve të detajuara për sa u përket ngjarjeve të motit të lidhura me fatkeqësitë.
Ky lëshim shënon misionin e 621-të të serisë së raketave mbartëse “Marshimi i Madh”./cgtn





























































