Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi bëri thirrje të enjten për paqe dhe përmbajtje nga të gjitha palët e përfshira në situatën e Iranit, gjatë një bisede telefonike me homologun e vet iranian Abbas Araghchi.
Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, tha se Kina ka mbështetur gjithmonë respektimin e qëllimeve të Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Kina kundërshton përdorimin e forcës ose kërcënimin për përdorimin e forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare, imponimin e vullnetit të dikujt mbi të tjerët, dhe kthimin tek “ligji i xhunglës”, tha kreu i diplomacisë kineze.
Kina beson se qeveria dhe populli iranian do të mbeten të bashkuar, do të kapërcejnë vështirësitë, do të ruajnë qëndrueshmërinë kombëtare dhe do të mbrojnë të drejtat dhe interesat e tyre të ligjshme, tha Wang, duke shtuar se Kina shpreson se të gjitha palët do të çmojnë paqen, do të tregojnë përmbajtje dhe do t’i zgjidhin mosmarrëveshjet nëpër dialogut.
“Kina është e gatshme që të luajë një rol konstruktiv në këtë proces,” vuri në dukje ai.
Gjatë telefonatës, Araghchi informoi mbi zhvillimet më të fundit në Iran, duke theksuar që trazirat e fundit u nxitën nga forcat e jashtme dhe se qëndrueshmëria tani është rikthyer.
Irani është i përgatitur për t’iu përgjigjur çdo ndërhyrjeje të jashtme dhe, në të njëjtën kohë, është i hapur për dialog, tha ai, duke shprehur shpresën që Kina do të luajë një rol më të madh në promovimin e paqes e qëndrueshmërisë rajonale. /cgtn





























































