Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Kinës zhvilloi të hënën në Pekin një simpozium me persona jo anëtarë të PKK-së, për të dëgjuar mendime dhe sugjerime nga komitetet e partive të ndryshme jokomuniste, drejtuesit e Federatës Mbarëkineze të Industrisë e Tregtisë dhe përfaqësuesit pa parti, mbi situatën ekonomike të këtij viti dhe punën ekonomike gjatë vitit të ardhshëm.
Simpoziumi u drejtua nga sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së Xi Jinping, i cili mbajti një fjalim të rëndësishëm. Xi theksoi se kushtet bazë dhe prirja afatgjatë e ekonomisë kineze drejt zhvillimit pozitiv nuk kanë ndryshuar. Ai nënvizoi nevojën për të forcuar besimin, për të shfrytëzuar avantazhet, për t’u përballur me sfidat dhe për të konsoliduar e zgjeruar prirjen e qëndrueshme e pozitive të ekonomisë, duke siguruar një fillim të mbarë të planit të 15-të pesëvjeçar.
Kryeministri Li Qiang informoi mbi punën ekonomike të këtij viti dhe paraqiti pikat kryesore që duhen marrë parasysh në punën ekonomike gjatë vitit të ardhshëm.
Përfaqësuesit e partive jokomuniste dhe pjesëmarrës të tjerë mbajtën fjalime në simpozium, duke shprehur pajtimin e tyre me analizën dhe vlerësimin e Komitetit Qendror për situatën aktuale ekonomike, si edhe me planifikimin për punën ekonomike të vitit të ardhshëm. Ata paraqitën opinione e sugjerime në fusha të tilla si optimizimi i strukturave industriale, rritja e ofertës me cilësi të lartë, thellimi i reformës në sistemin e arsimit, shkencës e talenteve, ndërtimi i një tregu të njësuar kombëtar për të dhënat, zgjerimi i kërkesës së brendshme, thellimi i hapjes së nivelit të lartë, përmirësimi i shëndetit dhe mirëqenies së popullit, nxitja e punësimit me cilësi të lartë dhe rritja e “fuqisë së butë” kulturore.
Foto nga VCG
Pas dëgjimit me kujdes të fjalimeve të pjesëmarrësve, Xi Jinping-u mbajti një fjalim të rëndësishëm. Ai tha se të gjithë të pranishmit i vlerësuan plotësisht rezultatet e punës ekonomike të vitit 2025 dhe paraqitën mendime e sugjerime për punën ekonomike të vitit të ardhshëm, të cilat do të studiohen me seriozitet dhe do të merren parasysh.
Xi vuri në dukje që ky vit ka qenë një vit i jashtëzakonshëm. Komiteti Qendror i PKK-së ka udhëhequr gjithë Partinë dhe popullin kinez të të gjitha kombësive për të kapërcyer vështirësitë dhe për të punuar me përkushtim, ka koordinuar situatën e brendshme e atë ndërkombëtare dhe ka zbatuar politika makroekonomike më proaktive, duke bërë të mundur që objektivat kryesorë të zhvillimit ekonomik e shoqëror të realizohen me sukses. Gjatë pesë vjetëve të fundit, Kina ka përballuar me efektivitet goditje e sfida të ndryshme dhe ka pasur arritje të rëndësishme në punët e Partisë dhe të shtetit. Plani i 14-të pesëvjeçar do të përfundojë me sukses, dhe fuqia ekonomike e teknologjike dhe kapacitetet e përgjithshme të vendit kanë arritur një nivel të ri.
Xi Jinping-u theksoi në vijim se, që nga fillimi i këtij viti, partitë jokomuniste, Federata Mbarëkineze e Industrisë e Tregtisë dhe personalitetet pa parti kanë përafruar punën e tyre me vendimmarrjet e Komitetit Qendror të PKK-së, duke kryer kërkime mbi integrimin e inovacionit shkencor me atë industrial dhe zgjerimin gjithëpërfshirës të kërkesës së brendshme. Ata gjithashtu kanë ushtruar mbikëqyrje demokratike mbi mbrojtjen ekologjike të lumit Jance dhe kanë paraqitur sugjerime me kohë për çështje kyçe e të vështira mbi zhvillimin ekonomik e shoqëror, duke ofruar referenca të rëndësishme për vendimmarrjen shkencore të Komitetit Qendror. Në emër të Komitetit Qendror, Xi u shprehu falënderime të sinqerta të gjithëve.
Foto nga VCG
Ai theksoi më tej që puna ekonomike e vitit të ardhshëm duhet të udhëhiqet nga Mendimi i Socializmit me Karakteristika Kineze për Epokën e Re, të zbatojë në mënyrë të plotë frymën e Kongresit të 20-të të PKK-së dhe të plenumeve përkatëse, të vërë në jetë në mënyrë të saktë e të plotë konceptin e ri të zhvillimit, të përshpejtojë krijimin e një modeli të ri zhvillimi dhe të nxisë zhvillimin me cilësi të lartë. Duhet të ruhet parimi i përgjithshëm i përparimit duke ruajtur qëndrueshmërinë, të forcohen bashkërendimi midis punës ekonomike të brendshme dhe përpjekjeve ekonomiko-tregtare të jashtme, si edhe midis zhvillimit dhe sigurisë, të zbatohen politika makroekonomike më proaktive e efektive dhe të forcohet parashikueshmëria, fokusimi e bashkërendimi i politikave. Po ashtu, duhet të zgjerohet vazhdimisht kërkesa e brendshme, të optimizohet oferta, të përmirësohet rritja e burimeve të reja dhe të shfrytëzohen burimet ekzistuese, të promovohet zhvillimi i forcave të reja prodhuese sipas kushteve vendore, të thellohet ndërtimi i një tregu të njësuar kombëtar, të parandalohet e neutralizohet rreziku në fushat kyçe dhe të forcohen masat për stabilizimin e punësimit, ndërmarrjeve, tregut dhe pritshmërive. Gjithashtu, në mbledhje u kërkua të promovohet ngritja e cilësisë dhe rritja e qëndrueshme e vëllimit ekonomik.
Xi paraqiti tre pritshmëri për partitë jokomuniste, Federatën Mbarëkineze të Industrisë e Tregtisë dhe personalitetet pa parti. Së pari, të thellojnë studimin dhe kuptimin e frymës së plenumit të katërt të Komitetit Qendror të 20-të të PKK-së, të kuptojnë në mënyrë të saktë e të plotë planifikimet strategjike të Komitetit Qendror dhe të qëndrojnë gjithmonë në mendim, qëndrim e veprim krah Partisë Komuniste të Kinës. Së dyti, të kontribuojnë në mënyrë aktive në hartimin dhe zbatimin e planit të 15-të pesëvjeçar, të zhvillojnë kërkime të thelluara mbi ndërtimin e një sistemi industrial modern, zhvillimin e forcave të reja prodhuese cilësore sipas kushteve të rajoneve të ndryshme dhe ndërtimin e një tregu të fuqishëm të brendshëm, duke paraqitur sugjerime me vlerë. Së treti, të bashkojnë forcat për të nxitur qëndrueshmërinë dhe përmirësimin e ekonomisë, t’i ndihmojnë Partinë dhe qeverinë në shpjegimin e politikave dhe forcimin e konsensusit, si edhe të udhëheqin anëtarët dhe grupet shoqërore të lidhura me ta që të shtojnë besimin, të forcojnë frymën dhe të krijojnë një atmosferë të favorshme për zhvillim./CGTN





























































