Kryeministri Edi Rama paralajmëroi qeverisjen vendore se “do të hyjmë në një fazë shtrëngimi pa tolerancë për sa i përket detyrimeve të prapambetura”.
Kryeministri mori pjesë sot në konferencën mbi “Decentralizimi dhe financat e qeverisjes vendore”.
Rama tha se ka shumë rëndësi të nënvizohet se disiplina financiare e bashkive është sot më shumë se sa asnjëherë tjetër një domosdoshmëri në të gjithë kontekstin ku jetojmë, por edhe në kontekstin e asaj që ka të bëjë me thellimin e decentralizimit si përgjegjësi, jo vetëm si autonomi”.
“Në aspektin e detyrimeve të prapambetura siç edhe në fakt e kemi diskutuar më parë, ne do të hyjmë në një fazë shtrëngimi pa tolerancë në bazë të parametrave të dakordësuara, natyrisht jo kot. Kjo është e domosdoshme sepse nuk mundet dot që akumulimi historik i borxheve të bëhet një rrugë e hapur edhe për vitet që kemi përpara. Kjo është e pamundur”, tha Rama.
Sipas tij, “rritja e performancës së bashkive është një prioritet për ne të gjithë së bashku dhe nuk ka se si të ndodhë kjo nëse nuk forcohet disiplina financiare dhe nëse bashkitë nuk mendojnë të shtojnë burimet e tyre financiare dhe të ardhurat që burojnë nga tregu”.
“Është e dhëna më dramatike e gjithë këtyre 30 viteve që volumi i aktiviteteve që lidhin drejtpërsëdrejti bashkitë me krijimin e të ardhurave jobuxhetore është minimal, afër 0”, shtoi Kryeministri.