Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, u zhvillua votimi për formimin e Qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti, por ajo nuk arriti të marrë miratimin e shumicës parlamentare. Nga 110 deputetët që morën pjesë, vetëm 56 votuan “për”, 52 “kundër”, ndërsa 4 deputetë abstenuan.
Pas këtij rezultati, kryeparlamentari Dimal Basha e ka njoftuar se përgjegjësia tani kalon te Presidentja Vjosa Osmani, e cila do të ketë mundësinë që, pas konsultimeve me partitë politike, të propozojë një kandidat tjetër për kryeministër në një afat prej dhjetë ditësh. Ky zhvillim i lë Kosovës në një pozicion të pasigurtë, duke shtuar paqartësitë për të ardhmen politike të vendit.
Kurti prezanton kabinetin e ri qeveritar “Kurti 3”
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se, megjithëse nuk ka arritur të sigurojë koalicion për të qeverisur, ka prezantuar kabinetin e ri qeveritar të Qeverisë “Kurti 3”. Në këtë kabinet, Glauk Konjufca do të mbajë postin e Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Hekuran Murati do të drejtojë Ministrinë e Financave, ndërsa Andin Hoti do të jetë Ministër për Familje.
Në pozitat e tjera, Maqedonci merr Ministrinë e Mbrojtjes, Xhelal Sveçla Ministrinë e Punëve të Brendshme, Lulzon Jagxhiun Ministrinë për Administratë dhe Digjitalizim, Avni Zogiani Ministrinë e Arsimit, ndërsa Fatmir Spahiu do të udhëheqë Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit. Blerim Gashani do të jetë Ministër i Sportit dhe Rinisë, Rasim Demiri Ministër i MAPL, Fitore Pacolli Ministër i Mjedisit, Armend Muja Ministër i Bujqësisë, Dimal Basha Ministër i Infrastrukturës, Nenad Rashiq Ministër për Komunitete dhe Kthim dhe Sejnur Veshalli Ministër i Zhvillimit Rajonal.
Albin Kurti gjatë fjalës së tij në Parlament ka theksuar se vonesat në krijimin e institucioneve shtetërore, të cilat kanë zgjatur më shumë se gjashtë muaj, kanë pasur pasoja të rëndësishme për mbarëvajtjen e shtetit. Ai e ka cilësuar këtë vonesë si një të tillë që nuk ka precedent në historinë e Kosovës, duke theksuar se është penguar përparimi i shumë proceseve të rëndësishme, si marrëveshjet ndërkombëtare dhe avancimi i reformave të brendshme. Kjo ka dëmtuar besueshmërinë e Kosovës para partnerëve ndërkombëtarë dhe ka ngadalësuar përpjekjet për të përmbushur angazhimet me Bashkimin Evropian, duke përfshirë procesin e rritjes dhe integrimit të Kosovës në BE.
Kurti ka shpjeguar se pas ftesave të shumta, asnjë parti parlamentare nuk ka pranuar të hyjë në koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo ka bërë që përpjekjet për të krijuar një shumicë qeverisëse të dështojnë, pavarësisht tentativave të përsëritura të Kurtit dhe ekipit të tij. Kjo situatë ka krijuar një krizë politike, duke lënë vendin pa qeveri funksionale për një periudhë të gjatë. Megjithatë, Kurti ka kërkuar nga deputetët që ta votojnë qeverinë e tij, duke theksuar se ky votim nuk është vetëm një formalitet politik, por një përgjegjësi shtetërore, e cila është jetike për stabilitetin e Kosovës.
Ai ka paralajmëruar se, nëse qeveria nuk miratohet, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja, duke u përballur me mungesën e institucioneve funksionale dhe pa një buxhet të miratuar për vitin që vjen. Kjo, sipas Kurtit, do të kishte pasoja të rënda për qytetarët, përfshirë vonesa në pagesat e pagave për shërbyesit publikë, pensioneve, shtesave për fëmijët dhe furnizimit me barna. Gjithashtu, do të rrezikohej funksionimi i organeve të rendit dhe sigurisë, që do të ishte një pengesë për zhvillimin dhe stabilitetin e vendit.
Kjo është dita e fundit e mandatit që presidentja Vjosa Osmani i ka dhënë kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti për të prezantuar kabinetin qeverisës dhe programin e tij.
Deri më tani nuk ka pasur konfirmim për ndonjë koalicion të arritur.
Presidentja ka bërë të ditur se në rast të dështimit të sotëm, ajo brenda dhjetë ditëve do t’i ftojë partitë politike për të parë nëse ndonjëra mund të sigurojë 61 votat e kërkuara.
/Argumentum.al





























































