Kuvendi i Shqipërisë do të organizojë nesër, 28 shtator, Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”.
Konferenca do të mbledhë përfaqësues të institucioneve shqiptare, Parlamentit Europian dhe parlamenteve të vendeve të tjera europiane, me fokus procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit.
Në konferencë pritet të mbajnë fjalën përshëndetëse kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, kryeministri Edi Rama, ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, si dhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder.
Në kuadër të aktivitetit do të zhvillohen tre sesione, ku do të diskutohen çështje që lidhen me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Sesioni i parë do t’i kushtohet agjendës së zgjerimit të BE-së dhe rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit, ndërsa sesioni i dytë do të fokusohet te zgjerimi si faktor strategjik për reformat, stabilitetin dhe sigurinë.
Sesioni i tretë do të trajtojë udhëheqjen parlamentare dhe angazhimin në avancimin e integrimit europian.
Konferenca do të moderohet nga kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, së bashku me përfaqësues të parlamenteve të vendeve pjesëmarrëse.
Në fokus të diskutimeve pritet të jetë roli i parlamenteve në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, vijimi i reformave dhe forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar në funksion të integrimit europian të Shqipërisë.
© 2026 Argumentum





















































