Armët që perëndimorët dërgojnë në Ukrainë tashmë kanë filluar të shiten në “tregun e zi”. “I kemi parë të qarkullojnë në Shqipëri dhe Kosovë”, tha Lavrov citojnë mediat greke
“Unë me të vërtetë shpresoj që përveç politikanëve që kërkojnë në mënyrë të papërgjegjshme që t’i japin Ukrainës çfarë do lloj gjëje që ajo kërkon, ka ende njerëz ushtarakë që kuptojnë se çfarë është në rrezik dhe që kuptojnë rreziqet që lidhen me të”, tha Lavrov.
Lidhur me bisedimet e ngrira të paqes me Ukrainën, ministri i Jashtëm rus tha se vetë Kievi ka nënshkruar se nuk dëshiron negociata me Rusinë, shkruan media greke.
“Ne ende nuk e kuptojmë se çfarë lloj udhëzimesh merr Zelensky nga mësuesit e tij në Uashington dhe Londër” , tha ai.
I pyetur për ofertën e Ukrainës për t’u anëtarësuar në BE, Lavrov tha : “Nuk e di nëse Ukrainës do t’i jepet një udhërrëfyes për t’u përgatitur për anëtarësim. Nëse kjo ndodh, atëherë do të thotë vetëm një gjë, se BE-ja është edhe një herë gati të mbyllë sytë ndaj të gjitha kritereve të saj që kanë ekzistuar gjithmonë për kandidatët dhe është e gatshme të udhëhiqet vetëm nga konsideratat gjeopolitike”.