Presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i LDK’së, Isa Mustafa janë takuar pasditën e djeshme, pas takimit me të gjithë liderët e partive politike. Sipas Zyrës së Presidentit, Mustafa i ka thënë Thaçit se e ka shumicën.
Zyra e Presidentit njofton se me konfirmimin e Mustafës, Thaçi i ka dorëzuar një letër ku i kërkon propozimin e mandatarit potencial për formimin e Qeverisë.
Pas një ore diskutime në kryesinë e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Gazeta Insajderi, mëson nga burime brenda kësaj partie se mandatari për kryeministër pritet të jetë Avdullah Hoti.
Ndonëse ende nuk ka përfunduar mbledhja, Hoti pritet të jetë kandidati i LDK-së, për kryeministër në Qeverinë e re.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë dje se në këtë mbledhje caktohet emri i kandidatit, e më pas Këshilli i partisë e miraton.
Së fundmi, emri i vetë Mustafës ka qenë më I përfoluri për të qenë kandidat, mirëpo një gjë të tillë kreu i LDK-së as nuk e ka pranuar e as nuk e ka mohuar në deklarimet e tij.