Më 11 nëntor, Wang Yi, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK dhe Ministër i Jashtëm i Kinës, zhvilloi bisedime në Pekin me Bruno Rodriguez Parrilla, të dërguarin e posaçëm të Partisë dhe qeverisë kubane, anëtar të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kubës dhe Ministër të Jashtëm të Kubës.
Wang Yi i kërkoi Rodriguez-it t’u përcillte përshëndetjet e përzemërta të Presidentit Xi Jinping shokut Raul Castro dhe Presidentit Miguel Diaz-Canel. Ai u shpreh se Kuba ka ruajtur pavarësinë, ka mbrojtur dinjitetin kombëtar dhe ka ndjekur një rrugë socialiste në përputhje me kushtet e saj, duke fituar respektin e bashkësisë ndërkombëtare. Pavarësisht ndryshimeve të situatës ndërkombëtare, Kina do të vazhdojë të mbështesë me vendosmëri Kubën në mbrojtjen e sovranitetit dhe të drejtave të saj të ligjshme, si dhe të kundërshtojë sanksionet, bllokadën dhe ndërhyrjet e jashtme.
Wang Yi theksoi se, nën drejtimin strategjik të udhëheqësve të dy vendeve, marrëdhëniet Kinë-Kubë janë zhvilluar vazhdimisht dhe miqësia tradicionale ka marrë një gjallëri të re. Kina është e gatshme të zbatojë së bashku me Kubën konsensuset e rëndësishme të arritura nga udhëheqësit e dy vendeve, të thellojë marrëdhëniet miqësore dhe të ndërtojë një bashkësi më të ngushtë me të ardhme të përbashkët Kinë-Kubë. Të dyja palët duhet të forcojnë bashkëpunimin shumëpalësh, të kundërshtojnë së bashku politikën e forcës dhe veprimet e njëanshme, të nxisin unitetin dhe fuqizimin e Jugut Global, si dhe të promovojnë një sistem më të drejtë dhe më të arsyeshëm të qeverisjes globale.
Rodriguez përcolli përshëndetjet e sinqerta të Raul Castros dhe Presidentit Diaz-Canel për Presidentin Xi Jinping. Ai theksoi se marrëdhëniet Kubë-Kinë kanë rëndësi strategjike dhe Kina ka qenë gjithmonë një partnere e rëndësishme në ndërtimin e socializmit në Kubë. Pala kubane falënderoi Kinën për mbështetjen ndaj zhvillimit të vendit dhe kundërshtimin e bllokadës dhe ndërhyrjeve të jashtme. Kuba i përmbahet me vendosmëri parimit të një Kine dhe kundërshton ndërhyrjet e forcave të jashtme në punët e brendshme të Kinës. Kina luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes botërore, mbështetjen e multilateralizmit dhe nxitjen e një rendi ndërkombëtar më demokratik. Kuba mbështet konceptin e një bashkësie me të ardhme të përbashkët për njerëzimin dhe katër nismat globale të propozuara nga Presidenti Xi Jinping, si dhe është e gatshme të forcojë koordinimin dhe bashkëpunimin shumëpalësh me Kinën për të arritur më shumë rezultate./cgtn




















































