Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “janë miratuar 9 500 pagat e para të luftës për bizneset e vogla që hyjnë në kategorinë që kanë mbyllur aktivitetin dhe që nuk punojnë dot”.
Kreu i Ekzekutivit deklaroi se “deri në fund të javës do të kalojnë 60 442 paga lufte”.
“Aplikimet bëhen në faqen online tek Drejtoria e Tatimeve, ku më pas bëhen verifikimet, miratimet dhe lëvrimi”, tha Rama, duke shtuar se “të gjitha kategoritë e tjera që kemi thënë do t’i fusim në kategoritë që do të përfitojnë nga zgjerimi i paketës, pas datës 15 prill”.
“Faleminderit shumë atyre që në këtë mundësi komunikimi të drejtpërdrejt, në kanalin e urgjencës, shqiperiaqeduam.al kanë shkruar shqetësime që ne i kemi marrë plotësisht në konsideratë. Faleminderit për ata biznese të vogla që janë mbyllur, për agjencitë turistike, servise makinash, apo llamarinist, fizioterapistë, këto janë de fakto të mbyllura, pavarësisht ne si kemi mbyllur me vendim.. Këto janë të mbyllura se nuk kanë punë, se ai, (pronari, punonjësi), del në punë, por nuk përfiton gjë dhe këto kategori do përfitojnë nga zgjerimi i paketës kur të zgjerohet paketa pas datës 15 prill”,- tha Rama.