Mbështetja e qytetarëve për anëtarësinë e Malit të Zi në NATO është më e ulët për pothuajse 9 për qind krahasuar me marsin e vitit të kaluar, ndërsa numri i kundërshtarëve, në të njëjtën periudhë, është rritur mbi 11 për qind – këto janë rezultatet e një hulumtimi të Qendrës për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Mal të Zi (CEDEM), të kryer në shtator.
Për Aleancën Atlantike të Malit të Zi, ky është një konfirmim se elementet proruse dhe anti-NATO vazhdojnë të veprojnë brenda institucioneve dhe strukturave politike.
“Veprimet e tyre synojnë përhapjen e dyshimit, dobësimin e besimit të qytetarëve dhe relativizimin e qëllimeve strategjike të shtetit”, thonë nga kjo organizatë për Radion Evropa e Lirë.
I pyetur nga REL-i se si i komenton këto të dhëna, një zyrtar i NATO-s tha se Mali i Zi përballet me “kërcënime të vazhdueshme hibride nga aktorë rusë dhe të huaj”, por theksoi se NATO-ja vlerëson bashkëpunimin e vazhdueshëm me të.
Ndërsa, arsyet e rënies së mbështetjes në anketën e fundit, zyrtari ua referoi autoriteteve malazeze.
Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për koment.
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi, Dragan Samarxhiq, beson se rënia e mbështetjes për anëtarësinë në NATO është pasojë e një kombinimi kompleks të ndikimeve globale, polarizimit të brendshëm dhe dobësive të komunikimit të institucioneve shtetërore.
Mali i Zi u bë anëtar i NATO-s në qershor të vitit 2017, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), e cila e humbi pushtetin në mes të vitit 2020.
Disa nga partitë që ishin në pushtet që nga ajo kohë – kryesisht partitë proruse të Frontit Demokratik – janë kundërshtare të NATO-s.
Kryetari i tyre, Andrija Mandiq, është kryetar i Kuvendit të Malit të Zi.
Shifrat e CEDEM-it
Hulumtimi i kryer nga CEDEM-i zbuloi se 40.7% e të anketuarve mbështesin anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
Shifra paraqet rënie krahasuar me marsin e vitit 2024, kur kjo mbështetje ishte 49.5%.
Përqindja e kundërshtarëve tani është 42.1, ndërsa marsin e kaluar ishte 30.7.
CEDEM ka zhvilluar anketa të ngjashme për këtë çështje që nga viti 2008.
Të dhënat e mëparshme tregojnë se, nga gjysma e vitit 2020 deri në mars 2024, shumica e të anketuarve vazhdimisht e kanë mbështetur anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
Anketa e fundit u realizua nga 25 shtatori deri më 6 tetor të këtij viti me 1.006 njerëz të rritur./REL




























































