Një president ish- gjeneral u zotohet shqiptarëve se do të jetë "shërbëtori" i tyre

Genc Mlloja

“Do të jem shërbëtor i popullit tim, përfaqësues i unitetit kombëtar”. Dy zotime historike se çfarë udhë të reja i janë premtuar popullit shqiptar nga Presidenti i ri i Republikës, Bajram Begaj në betimin e tij në Kuvend e Presidence.

Populli nuk ishte në asnjë veprimtari ku Begaj u betua si president me dorë në zemër kur i bëri këto zotime. Ishin të pranishëm, në fakt, në këtë besa – besë të ‘shërbëtorit të popullit’ ata që e sundojnë këtë popull, ata që po ia bëjnë jetën ferr shqiptarëve (çmime në qiell, papunësi e kohës së luftës, kriminalitet i frikshëm, shëndetësi mortale, pensione vdekje etj) ndërsa kërcënojnë se do të kenë bukë, drita, ujë e artikuj të tjere jetike më pak e më të shtrenjta në ditet e ardhshme…21 të shtëna topi i thanë ‘mirseerdhe’ në shtëpinë e re presidenciale ish- gjeneralit me të gjithë familjen e tij. Gjëmimi i topave, sigurisht, nuk është dëgjuar në tërë vendin por populli i të gjithë shtresave e bindjeve politike ia ka ndjere jehonen atyre kudo që janë në këtë vend ose jashtë tij.

Presidenti ka qenë ushtarak me grada të larta e shqiptaret historikisht i kanë adhuruar njerezit në uniforme. Kësisoj të gjithë i kanë sytë tek presidenti komandant me shpresën se autoriteti e kompetencat e tij e për më tepër premtimet me zemër në dorë do të sjellin ditë më të mira… E janë premtime të një presidenti që e ka, besoj, uniformen e gjeneralit në shtëpi, ndoshta edhe në shtëpinë e re. A thua pushtetarët civile i kanë marrë seriozisht, nëse kanë qenë kështu, përbetimet ndaj popullit të presidentit Bajram Begaj në ditën e parë si i pari i shqiptarëve?

/Argumentum.al