Tri koalicionet opozitare në Mal të Zi: “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, i udhëhequr nga partia Fronti Demokratik, “Paqja është kombi ynë”, i udhëhequr nga Demokratët e Alleksa Beçiqit, dhe “E bardha në të zezë”, i udhëhequr nga Dritan Abazoviq, kanë fituar së bashku 41 mandate të deputetëve në Parlamentin e Malit të Zi, nga gjithsej 81.
Kështu tregojnë rezultatet paraprake të organizatës Qendra për Monitorim (CEMI), bazuar në 95% të mostrës nga materiali zgjedhor.
Të gjitha partitë dhe koalicionet e tjera që kanë marrë pjesë në zgjedhje kanë fituar gjithsej 40 vende.
Në mesin e tyre janë: subjekti i deritashëm në pushtet, Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit, partitë e pakicave shqiptare dhe boshnjake, Social-Demokratët dhe Partia Social-Demokrate.
Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve dhe numri përfundimtar i ulëseve parlamentare mbeten të pasigurt ende, sepse, sipas drejtorit të CEMI-t, Zllatko Vujoviq, nuk janë numëruar të gjitha votët dhe ndryshimet e caktuara janë të mundshme.
Vendvotimet për zgjedhjet paralmentare në Mal të Zi, si dhe për zgjedhjet lokale në pesë komuna të këtij shteti, u mbyllën të dielën në orën 20:00.
Në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi kanë votuar 75.9 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, përkatësisht 409,880 votues, njoftoi organizata joqeveritare Qendra për Tranzicionin Demokratik.
Në një postim në Twitter, kjo qendër kujtoi se në zgjedhjet paraprake të 2016-ës në Mal të Zi pjesëmarrja ka qenë 73.4 për qind, ndërsa në ato të 2012-ës kanë votuar 70.6 për qind e qytetarëve.
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, tha pas votimit se nuk ka rrezik për stabilitetin e shtetit dhe sigurinë e qytetarëve, ndërsa tensionet, sipas tij, vijnë nga adresa jashtë Malit të Zi.
“Shoqëria malazeze ka kaluar nëpër tundime të tilla disa herë, andaj nuk shoh ndonjë rrezik për stabilitetin e Malit të Zi dhe për sigurinë e qytetarëve”, tha Gjukanoviq.
Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur nën tensione të larta politike dhe nën rrezikun që paraqet pandemia e koronavirusit.
Për 81 ulëset parlamentare kanë garuar gjashtë koalicione dhe pesë parti.
Këto janë zgjedhjet e njëmbëdhjeta që nga futja e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi, ndërsa të pestat prejse ky shtet ka shpallur pavarësinë, më 2006.