Papa Leo XIV ka nisur vizitën e tij të parë apostolike në Amerikën Latine që prej zgjedhjes në krye të Kishës Katolike, me një turne 12-ditor në Uruguai, Argjentinë dhe Peru, nga 6 deri më 17 nëntor.
Gjatë ndalesës së parë në Montevideo, në Uruguai, Papa bëri thirrje për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, duke theksuar rëndësinë e dialogut, respektimit të ligjit dhe përgjegjësisë së përbashkët përballë sfidave ekonomike e sociale.
Në takimin me autoritetet, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe trupin diplomatik, Ati i Shenjtë nënvizoi nevojën për një zhvillim ekonomik që përfshin të gjithë qytetarët dhe nuk lë pas shtresat më të cenueshme. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për ndikimin e teknologjive të reja dhe inteligjencës artificiale në të ardhmen e punësimit.
Turneu përfshin dhjetë qytete dhe rreth 36 fjalime. Pas Uruguait, Papa do të udhëtojë drejt Argjentinës, ku do të vizitojë Buenos Airesin, Kordobën dhe Lujánin, për të vijuar më pas në Peru, me ndalesa në Lima, Chiclayo, Cusco dhe Pucallpa.
Vizita në Argjentinë ka një domethënie të veçantë, pasi bëhet fjalë për vendlindjen e paraardhësit të tij, Papa Françeskut, i cili gjatë pontifikatit nuk arriti të vizitonte atdheun e tij.
Ndërsa ndalesa në Peru përbën një rikthim personal për Leon XIV, i cili shërbeu për shumë vite si misionar dhe më pas si peshkop në këtë vend, ku fitoi edhe nënshtetësinë peruane.
Udhëtimi zhvillohet në një moment kur Kisha Katolike përballet me ndryshime të rëndësishme në Amerikën Latine. Edhe pse rajoni mbetet zona me numrin më të madh të katolikëve në botë, përkatësia ndaj Kishës ka shënuar rënie gjatë viteve të fundit, ndërsa komunitetet ungjillore dhe format e tjera të besimit kanë zgjeruar praninë e tyre.
Në të njëjtën kohë, vizita synon të forcojë lidhjet e Vatikanit me shoqëritë dhe institucionet e rajonit, duke vendosur në qendër mesazhet e paqes, solidaritetit dhe dialogut.
Turneu merr rëndësi edhe për faktin se zhvillohet pak javë pas ndërhyrjes kirurgjikale që Papa iu nënshtrua më 13 tetor për heqjen e një pjese të mushkërisë së djathtë, pas diagnostikimit me një tumor të lokalizuar. Vatikani ka bërë të ditur se ai është në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë për të përballuar programin e udhëtimit.
Vizita në Amerikën Latine është një nga udhëtimet më të gjata ndërkombëtare të pontifikatit të tij deri tani dhe një mundësi për të rikthyer vëmendjen e Vatikanit te një rajon me peshë të veçantë fetare, shoqërore dhe politike në botë.
© 2026 Argumentum




















































