Ambasador Arben CICI
Ka më shumë se 150 ditë që qytetarët e Shqipërisë janë ngritur në protestë kundër qeverisë aktuale dhe një sistemi politik të instaluar e të konsoliduar gjatë viteve të gjata të tranzicionit postkomunist.
Arsyet që i kanë nxjerrë qytetarët, të rinj, studentë, pedagogë, prindër, të moshuar në rrugë janë të drejta. Thirrjet në bulevard janë të forta. Parullat, pankartat dhe memet janë therëse, ironike dhe shpeshherë më domethënëse se shumë deklarata politike.
Vetëm ata shqiptarë ose të huaj që jetojnë në një univers tjetër mund të pretendojnë se nuk i kuptojnë arsyet e kësaj proteste. Disa nuk kanë veshë të dëgjojnë, të tjerë nuk kanë sy të shikojnë, ndërsa disa duket se i kanë humbur të dyja në dritëhijet e perëndisë së re “Diella”.
Por një gjë duhet kuptuar: një protestë qytetare nuk është një ngjarje që matet vetëm me numrin e pjesëmarrësve në një ditë të caktuar, me intensitetin e thirrjeve apo me spektaklin e një përballjeje në bulevard. Ajo është një proces shoqëror, politik dhe moral.
Një protestë qytetare është si lumi. Ndryshon sipas stinëve, ditës dhe natës, prurjeve dhe pengesave. Herë rrëmben, herë qetësohet, herë forcohet e herë duket sikur zbehet. Por kjo nuk do të thotë se thahet. Burimet mbeten atje, thellë nën tokë, dhe edhe në thatësirën më të madhe gjejnë rrugën për të nxjerrë në sipërfaqe ujin që i jep jetë tokës dhe bimësisë.
Edhe protesta qytetare mund të humbasë përkohësisht vrullin. Mund të përjetojë momente lodhjeje, pasigurie, përçarjeje dhe zhgënjimi. Mund të përballet me presionin e pushtetit, me përpjekjet për ta përvetësuar politikisht apo me indiferencën e atyre që shpresojnë se koha do ta shuajë.
Por dobësimi i përkohshëm i mobilizimit nuk është domosdoshmërisht dobësim i kauzës. Dhe aq më pak është zhdukje e pakënaqësisë qytetare.
Pse mund të dobësohet një protestë qytetare?
1. Strategjia e tensionit, provokimit dhe represionit
Një nga rreziqet më të mëdha për çdo lëvizje qytetare është zhvendosja e vëmendjes nga arsyet e protestës drejt incidenteve që mund të ndodhin gjatë saj.
Kur debati publik përqendrohet vetëm te përplasjet, aktet e dhunës apo dëmtimet materiale, ndërsa kërkesat dhe shkaqet e protestës kalojnë në plan të dytë, kauza rrezikon të humbasë dukshmërinë e saj.
Këto fenomene po ndodhin në Shqipëri:
- Provokimet dhe infiltrimi: Prania e individëve që nxisin dhunën ose veprime të papërgjegjshme mund të dëmtojë karakterin paqësor të një proteste dhe të krijojë perceptime të shtrembëruara për të gjithë pjesëmarrësit.
- Përdorimi joproporcional i forcës: Ndërhyrjet e tepruara policore, përdorimi ekstrem i mjeteve të kontrollit të turmave dhe ndalimet arbitrare, gjatë dhe pas protestës, mund të krijojnë frikë dhe të dekurajojnë pjesëmarrjen qytetare.
- Kurthi i radikalizimit: Përballë tensionit dhe provokimeve, një pjesë e protestuesve mund të joshet drejt konfrontimit. Kjo rrezikon të largojë vëmendjen nga kërkesat fillestare dhe të tjetërsojë mbështetjen e qytetarëve që duan ndryshim përmes protestës qytetare.
- Masat administrative post-protestë. Qeveria për të mbajtur monopolin e forcës dhe delegjitimuar karakterin e protestës miraton masa represive, gjoba, arrestime, presione ndaj prindërve dhe mësuesve.
Protesta në Shqipëri, po përballet me të gjitha këto sfida, jo vetëm në ruajtjen e karakterin qytetar dhe mbrojtjen e pjesëmarrësve të saj, por edhe të legjitimitetit të kauzës.
2. Përpjekjet për kooptim politik dhe përçarje
Lëvizja qytetare 150 ditore e ka marrë forcën përtej ndarjeve partiake. Ajo përfshin qytetarë me bindje të ndryshme politike, por që i bashkoi rreth shqetësimeve dhe kërkesave të përbashkëta.
Këtu qëndron edhe një prej sfidave më të mëdha të protestës.
- Përvetësimi nga partitë politike: Kur një forcë politike opozitare përpiqet ta identifikojë protestën vetëm me axhendën e saj elektorale, ajo rrezikon të largojë masën e madhe të qytetarëve që nuk identifikohen me atë forcë.
- Shtrembërimi i kërkesave: Kur kauza fillestare mbingarkohet me slogane, interesa apo objektiva politike ose të tjera që nuk përfaqësojnë shumicën e protestuesve, mesazhi humbet qartësinë.
- Përçarja e brendshme: Dallimet mbi mënyrën e organizimit, përfaqësimit dhe vazhdimit të protestës mund të shndërrohen në konflikte që konsumojnë energjinë e lëvizjes.
Kjo nuk do të thotë se protesta duhet të jetë kundër çdo bashkëpunimi politik ose organizate joqeveritare. Do të thotë se askush nuk duhet të ketë të drejtën ta trajtojë vullnetin qytetar si pronë politike apo si kapital elektoral.
Protesta duhet të mbetet më e madhe se çdo parti, organizatë dhe më e rëndësishme se çdo interes individual.
3. Lodhja fizike, financiare dhe psikologjike
Protesta e gjatë kërkon sakrifica. Pjesëmarrja e vazhdueshme kushton kohë, energji dhe para. Për qytetarët që punojnë, për familjet me të ardhura të kufizuara, për studentët e të rinjtë dhe për ata që udhëtojnë nga rrethet, kjo barrë bëhet edhe më e ndjeshme.
Në këtë proces shfaqen disa vështirësi:
- Shterimi fizik dhe financiar: Pjesëmarrja e përsëritur, udhëtimet dhe humbja e orëve të punës krijojnë kosto reale.
- Mungesa e rezultateve të menjëhershme: Kur kërkesat nuk marrin përgjigje dhe qeveria vazhdon të sillet sikur asgjë nuk po ndodh, krijohet ndjenja e pafuqisë.
- Mungesa e strukturës dhe përfaqësimit: Lëvizjet qytetare që nuk kanë mekanizma të qartë komunikimi dhe përfaqësimi mund të hasin vështirësi në koordinimin e kërkesave dhe në ruajtjen e vazhdimësisë.
- Divergjencat e brendshme: Me kalimin e kohës lindin dallime mes atyre që kërkojnë zgjidhje përmes negociatave dhe atyre që kërkojnë një qëndrim më të vendosur ose radikal.
Por lodhja nuk është dorëzim. Heshtja e përkohshme nuk është pajtim. Dhe mungesa e një fitoreje të menjëhershme nuk e bën të padrejtë kauzën e qytetarëve në rrugët e Shqipërisë.
4. Lufta për perceptimin publik dhe roli i medias
Në shoqëritë moderne, beteja për të vërtetën zhvillohet jo vetëm në sheshe, por edhe në hapësirën mediatike.
Mënyra se si pasqyrohet një protestë ndikon drejtpërdrejt në perceptimin publik dhe në mundësinë e saj për të fituar mbështetje më të gjerë.
- Kornizimi negativ mediatik: Kur vëmendja përqendrohet vetëm te incidentet, ndërsa kërkesat qytetare lihen në hije, krijohet një perceptim i cunguar i realitetit.
- Lodhja e opinionit publik: Protestat e gjata mund të shkaktojnë bezdi dhe vështirësi në jetën e përditshme. Kjo është arsyeja pse lëvizjet qytetare duhet të ruajnë komunikimin me qytetarët dhe të tregojnë se kauza e tyre nuk është kundër jetës së përditshme, por në mbrojtje të interesit dhe të ardhmes së përbashkët.
- Humbja e vëmendjes mediatike: Në një mjedis ku lajmet ndërrohen me shpejtësi, ku qeveria ka nën kontroll pjesën më të madhe të mediave, një protestë mund të mos jetë më në qendër të transmetimeve. Por mungesa e vëmendjes mediatike nuk do të thotë se problemet që e shkaktuan janë zgjidhur.
Prandaj, komunikimi i qartë, dokumentimi i fakteve, transparenca dhe ruajtja e lidhjes me qytetarët, veçanërisht përmes rrjeteve sociale janë po aq të rëndësishme sa vetë prania e qytetarëve shqiptarë në shesh.
Këta faktorë, të brendshëm dhe të jashtëm, nuk janë thjesht mundësi teorike. Ato janë sfida që shoqërojnë shumë lëvizje qytetare siç edhe po ndodh me protestën qytetare në Shqipëri.
Por, përtej të gjithave, ekziston një fakt themelor që nuk duhet humbur nga vëmendja:
Arsyet e thella të protestës qytetare në Shqipëri nuk kanë ndryshuar ASPAK!
As lodhja e protestuesve, as kalimi i ditëve, as zbehja e përkohshme e vëmendjes mediatike, as përpjekjet për ta përvetësuar apo diskredituar protestën nuk mund t’i zhbëjnë arsyet që i nxorën qytetarët në rrugë.
Protesta qytetare nuk duhet parë si një garë shpejtësie, ku fiton ai që mbledh më shumë njerëz në një ditë të vetme. Ajo është një provë qëndrueshmërie demokratike. Forca e saj nuk matet vetëm me numrin e njerëzve në bulevard, por edhe me këmbënguljen për të mos e normalizuar atë që është e papranueshme.
Prandaj, sfida e qytetarëve shqiptarë nuk është vetëm të vazhdojnë të protestojnë, por të ruajnë unitetin rreth kërkesave themelore, pavarësinë qytetare dhe besimin se ndryshimi nuk është privilegj që jepet nga pushteti, por e drejtë që buron nga qytetarët.
Qeveria shqiptare mund të injorojë protestën. Mund të presë që ajo të lodhet. Mund të shpresojë se njerëzit do të kthehen në shtëpi dhe se gjithçka do të vazhdojë si më parë.
Por nuk mund të pretendojë se problemi është zgjidhur vetëm sepse bulevardi është bosh në një ditë të caktuar.
Sepse protesta nuk është vetëm ajo që shohim në shesh. Është edhe pakënaqësia që mbetet në shoqëri, vetëdija që rritet, pyetjet që nuk marrin përgjigje dhe vendosmëria për të mos pranuar padrejtësinë si normalitet.
Lumi mund të ngadalësojë rrjedhën. Mund të ndryshojë shtratin. Mund të ndeshet me pengesa. Por për sa kohë burimet e tij janë gjallë, ai do të gjejë përsëri rrugën drejt detit.
Populli shqiptar që kërkon llogari nuk është problem për demokracinë. Është vetë demokracia që kërkon të funksionojë!
© 2026 Argumentum
















































