Pak orë pas takimit me presidentin Hashim Thaçi, ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë dhe Francës, kanë dalë më një deklaratë të përbashkët ku shprehin neutralitetin karshi zhvillimeve politike në vend.
Në reagimin e përbashkët të ambasadave të vendeve të QUINT-it thuhet se ato nuk miratojnë ose mbështesin asnjë pozicion të caktuar politik, duke shtuar se në takimet që i bëjnë me udhëheqës të vendit vetëm i dëgjojnë pikëpamjet e tyre.
“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, dhe SHBA-ve, dëshirojnë të njoftojnë se ne bëjmë takime me udhëheqës politikë dhe institucionalë që t’i dëgjojmë pikëpamjet e tyre dhe për të pranuar informata, në mënyrë që t’i mbajmë qeveritë tona të informuara lidhur me zhvillimet. Pjesëmarrja në takime të tilla nuk sinjalizon miratim ose mbështetje për ndonjë pozitë të veçantë apo rrjedhë të veçantë veprimi. Kjo është në përputhje me praktikën normale diplomatike”, thuhet në njoftimin e përbashkët të ambasadave.