Shangai synon të ndërtojë një qendër të re ndërkombëtare të inovacionit. Që nga Kongresi i 18-të Kombëtar i PKK-së, ky metropol i Kinës Lindore ka luajtur një rol udhëheqës në zhvillimin tekniko-shkencor dhe ka ngritur pandërprerë aftësinë inovative të Deltës së Lumit Jance, duke nxitur zhvillimin cilësor të ekonomisë kineze.
Në vitin 2018, integrimi i zhvillimit të Deltës së Lumit Jance u kthye në një strategji kombëtare. Gjatë inspektimit të punës në Deltën e Lumit Jance, presidenti kinez Xi Jinping u shpreh se Shangai dhe Delta e Lumit Jance duhet të ofrojnë jo vetëm produkte me cilësi të lartë, por edhe produkte me teknologji të lartë në mbështetje të zhvillimit cilësor të vendit.
Sot në Parkun e Teknologjisë së Lartë “Zhangjiang” të Shangait ka mesatarisht një kompani të listuar në bursë për një kilometër katror. Ndër 20 kompanitë më të fuqishme farmaceutike globale, gjysma e kanë vendosur qendrën e tyre të inovacionit në parkun “Zhangjiang” dhe më se 40 % e kompanive më të fuqishme farmaceutike kineze kanë hapur degë këtu. Aktualisht Shangai ka ndërtuar dhe do të ndërtojë 20 infrastruktura kryesore tekniko-shkencore. Numri i sipërmarrjeve të teknologjisë së lartë në Shangai i ka kaluar 25 mijët dhe në tre sektorët e përparuar, përkatësisht të qarqeve të integruara, biomjekësisë dhe inteligjencës artificiale, punojnë mbi 800 mijë talente.
Zhvillimi tekniko-shkencor i Shangait ka nxitur inovacionin tekniko-shkencor të Deltës së Lumit Jance. Deri tani janë ndërtuar 24 konsorciume inovative pilot në Deltën e Lumit Jance. Dy qendra shkencore kombëtare – “Zhangjiang” i Shangait dhe “Hefei” i provincës Anhui – po promovojnë aktivisht ndërtimin e përbashkët. Qendra Kombëtare e Inovacionit Teknologjik në Deltën e Lumit Jance ka vendosur bashkëpunimin strategjik me mbi 200 institute kërkimore e shkolla të larta brenda e jashtë vendit, duke ndërtuar qendrën e përbashkët inovative me rreth 600 sipërmarrje.
Ndër 100 grupet më të fuqishme inovative në “Treguesin e Inovacionit Global për vitin 2025” të publikuar nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale, Shangai dhe Suzhou renditen në vendin e 6-t, Hangzhou në të 13-tin, Nankini i 15-ti dhe Hefei i 39-ti.
Në Konferencën Qendrore të Punës Ekonomike të mbyllur pak kohë më parë, u propozua zgjerimi i Qendrës Ndërkombëtare të Inovacionit Tekniko-Shkencor të Shangait në katër provinca e qytete në Deltën e Lumit Jance. Ky është një vendim i rëndësishëm i marrë nga Komiteti Qendror i PKK-së për rritjen e ndikimit global dhe konkurrueshmërisë së Qendrës Ndërkombëtare të Inovacionit Tekniko-Shkencor./CGTN





























































