Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, uron besimtarët katolikë me rastin e Pashkëve, duke i shprehur mirënjohje Kishës dhe besimtarëve katolikë për mbështetjen në sfidën për jetën.
Kryetari i Kuvendit, Ruçi uron në këtë ditë: “Pashkë të Gëzuara në çdo vatër familjare! Pashkët e sivjetme i gjejnë besimtarët katolikë brenda shtëpive të tyre. Gëzimi i festës ndrin, megjithatë, në familjet dhe zemrat e të gjithëve. Distancimi fizik e bën më të pathyeshme nevojën, afërinë dhe lidhjen shpirtërore. Të gjitha sakrificat kanë kuptim kur bëhen në emër të jetëve njerëzore”.
“Mirënjohje Kishës Katolike dhe besimtarëve katolikë për mbështetjen e të gjithë shqiptarëve në këtë sfidë për jetën. Lumturia dhe gëzimi do të rikthehen shumë shpejt dhe të gjithë ne do të rikujtojmë se sa e bukur është jeta, sa i duhur është solidariteti, sa i dobishëm është besimi, sa i pazëvendësueshëm është përdëllimi njerëzor dhe sa të çmuara janë vlerat te të cilat besojmë dhe mësimet nga të cilat udhëhiqemi. Në këtë Ditë të Bekuar le të përsërisim mirënjohjen tonë për mjekët, infermierët, policët dhe ushtarët dhe për të gjithë ata që janë bërë këto kohë rojtarë të jetëve tona si edhe familjet e tyre”, shprehet Ruçi.