Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të shtetit, duke u bërë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet.
“Autorët e këtij krimi duhet të mbahen përgjegjës përmes një procesi transparent të hetimit”, tha Blinken përmes një deklarate.
“Ne u bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë më tej tensionet, dhe menjëherë të punojnë, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, për shtensionimin e situatës, të ofrojnë siguri dhe sundim të ligjit dhe t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, deklaroi ai.
Sipas kryediplomatit amerikan, Policia e Kosovës “ka përgjegjësi të plotë për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës”.
“SHBA-ja njeh dhe respekton rolin e Policisë së Kosovës si reaguesja e parë për situata të emergjencës dhe krizave”, tha Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit tha se Uashingtoni e vlerëson koordinimin e ngushtë me Policinë e Kosovës, misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe atë të NATO-s, KFOR, “veçmas për të ofruar siguri për civilët në vendngjarje”, duke shtuar se SHBA-ja do të vazhdojë ta monitorojë situatën.
Një ditë pas përleshjeve në veri, situata në këtë zonë të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – raportohet se është e qetë, por qasja për në fshatin Banjskë në Komunën e Zveçanit është ende e mbyllur nga Policia e Kosovës.
Ndërsa ot në Kosovë është ditë zie në nderim të policit Afrim Bunjaku, i cili mbeti i vrarë një ditë më parë në veri të Mitrovicës pas një sulmi me armë zjarri nga një grup terroristësh. Po ashtu, të plagosur mbeten edhe dy policë të tjerë, ndërsa u vranë dhe 4 sulmues serb.
/Argumentum.al