Drejtori i Agjencisë Serbe për Siguri dhe Informim (BIA), Aleksandar Vulin, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e tij, duke shpjeguar se SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE) “e duan kokën e tij si parakusht për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë”.
Në deklaratën e tij për media, Vulin theksoi se presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Serbia “po përballen me kërcënime dhe shantazhe që mund të krahasohen vetëm me ultimatumin austro-hungarez të vitit 1914”.
Vulin shtoi se Serbisë i kërkohet të njohë Kosovën, “të largohet nga Republika Sërpska” dhe të vendos sanksione ndaj Rusisë, “të pushojë së qeni një shtet dhe komb sovran”.
“Unë nuk jam shkaktar i shantazheve dhe presioneve ndaj Serbisë dhe botës serbe, por nuk do ta lejoj veten të jem shkaktar i shantazheve dhe presioneve ndaj Serbisë dhe botës serbe”, ka thënë Vulin në një deklaratë.
Ai tha se sanksionet e SHBA-së të vendosura ndaj tij janë “dëshmi e luftës së tij këmbëngulëse për unitetin e serbëve”.
“Refuzoj të bëhem pjesë e histerisë antiruse dhe antiserbe për shkak të çfarëdo pozite, të mos më interesojë Republika Srpska dhe mbijetesa e saj dhe të mos besoj në pashmangshmërinë e bashkimit të serbëve dhe krijimit të botës serbe”, tha Vulin.
Ai vlerësoi se dorëheqja e tij ishte “një fitore e vogël për SHBA-në dhe BE-në”, por se ishte një fitore e madhe për të, “sepse dëshmoi se për Serbinë dhe popullin serb ia vlen çdo sakrificë”.




























































