Sheshi “Skënderbej”, fryt i një vizioni, pasioni dhe pune po bëhet dita-ditës një destinacion gjithnjë e më tërheqës për vizitorët e huaj.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar foto nga Sheshi “Skënderbej”.
“MIRËMËNGJES, dhe me këto pamje spektakolare të Sheshit Skënderbej mbrëmë, ju uroj një ditë të mbarë “, shkruan Rama.
Sheshi “Skënderbej” është përzgjedhur në finalen e madhe të çmimit më prestigjioz të arkitekturës – Çmimi i Bashkimit Europian për Arkitekturën Bashkëkohore që mban emrin e legjendarit Mies Van Der Rohe.
Një vit më parë, Sheshi “Skënderbej” u vlerësua me çmimin prestigjioz europian për “Hapësirën Publike Urbane 2018”.
Çmimi u akordua nga Qendra e Kulturës Bashkëkohore e Barcelonës si dhe nga 6 institucione europiane më të rëndësishme të arkitekturës dhe dizajnit në Europë, ndërsa vlerësimi u bë nga arkitektja Olga Tarraso, e cila kryesonte jurinë e njohur ndërkombëtare.
Sheshi “Skënderbej” u përzgjodh mes 279 projekteve nga 32 vende të ndryshme europiane, ndërsa më parë ishte zgjedhur mes 25 projekteve finaliste. Çmimin e tërhoqi kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe përfaqësues të studios projektuese “51N4E”.
Sheshi i ri “Skënderbej” u përurua më 10 qershor 2017. Ai përfaqëson një ndërthurje mes pjesës së gurtë dhe asaj të gjelbër dhe të pyllëzuar, duke ruajtur fort simbolikat kombëtare dhe historike që mbart. Në vitin 2018 ky shesh u vlerësua me çmimin europian të Barcelonës për hapësirën më të bukur publike të ndërtuar në Europë.