Qeverisja globale ka hyrë përsëri në “momentin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait”. Me rastin e Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) të vitit 2026, një sondazh i opinionit publik i kryer nga CGTN-i në bashkëpunim me Universitetin “Renmin” të Kinës nëpërmjet Institutit për Komunikimin Ndërkombëtar në Epokën e Re, me 13 707 pjesëmarrës nga 48 vende të botës, tregon se 74.6 % e tyre besojnë që OBSh-ja ofron një rrugë pragmatike për bashkëpunim midis vendeve me sisteme të ndryshme dhe shërben si një forcë e rëndësishme për përparimin e një lloji të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe një bashkësie me të ardhme të përbashkët për njerëzimin.
Ky vit shënon 25-vjetorin e themelimit të OBSh-së. Gjatë 25 vjetëve të fundit, vëllimi i tregtisë midis Kinës dhe shteteve të tjera anëtare të OBSh-së është rritur nga 12.1 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2001 në 523.5 miliardë dollarë amerikanë vjet. Projektet, duke përfshirë Hekurudhën Kinë-Kirgizistan-Uzbekistan, Bankën e Zhvillimit të OBSh-së dhe Gazsjellësin Kinë-Azi Qendrore, vazhdojnë të ecin përpara. Pjesëmarrësit në sondazh kanë pikëpamje pozitive mbi rezultatet e bashkëpunimit pragmatik të OBSh-së në sektorë të ndryshëm gjatë historisë së saj 25-vjeçare. Ata vënë në dukje se ndikimi ndërkombëtar i organizatës është rritur ndjeshëm në tre fusha prioritare: lehtësimi i tregtisë, bashkëpunimi për investimet e financimin, si edhe shkëmbimet kulturore dhe turizmi. Ndër të anketuarit nga shtetet anëtare të OBSh-së dhe partnerët e dialogut, 75.4 % deklarojnë që “Fryma e Shangait” ofron një kornizë bashkëpunimi të rrënjosur në besimin e ndërsjellë, përfitimet e përbashkëta, barazinë, konsultimet, respektin për qytetërimet e ndryshme dhe ndjekjen e zhvillimit të përbashkët. Ndërkohë, 71.7 % e të anketuarve besojnë që OBSh-ja e ka forcuar zërin e vendeve të Jugut Global dhe ka nxitur ndërtimin e një sistemi qeverisjeje globale më të drejtë e më të arsyeshëm.
Si anëtare themeluese e OBSh-së, Kina e ka lidhur vazhdimisht zhvillimin e saj me atë të kësaj organizate dhe me aspiratën e popujve të të gjitha shteteve anëtare për një jetë më të mirë. Deri më sot, investimet e Kinës në shtetet e tjera anëtare kanë vazhduar të zgjerohen. Në vitin 2025, investimet e drejtpërdrejta të Kinës në të gjitha industritë arritën në 3.3 miliardë dollarë amerikanë, duke mbuluar naftën dhe gazin, burimet minerale, infrastrukturën, energjinë e re, automobilat, industrinë kimike dhe sektorë të tjerë. Kina ka investuar gjithashtu në ndërtimin e më shumë se 30 zonave të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, duke ndihmuar vendet përfituese të rrisin kapacitetin industrial dhe duke nxitur rritjen ekonomike e punësimin lokal. Të anketuarit vlerësuan filozofinë dhe kontributet e Kinës në ndërtimin e një komuniteti të OBSh-së me të ardhme të përbashkët, duke njohur gjerësisht kontributet më të spikatura të Kinës në tre drejtime: përparimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, promovimin e bashkëpunimit të sigurisë midis shteteve anëtare dhe ofrimin e ndihmës për zhvillim e të mbështetjes financiare. Përveç kësaj, 76.2% e të anketuarve mendojnë se nisma “Një brez, një rrugë” e Kinës ka nxitur një peizazh të ri të zhvillimit global të ndërlidhur e të integruar, teksa 73.5 % vërejnë se Nisma e Qeverisjes Globale tregon rrugën që vendet e Jugut Global të marrin pjesë në reformën e sistemit të qeverisjes globale.
Bashkia e Bishkekut, Kirgistan. /VCG
Sot OBSh-ja është rritur në një organizatë gjithëpërfshirëse bashkëpunimi rajonal me mbulimin territorial e popullsinë më të madhe në botë dhe me potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi. Si një forcë kyçe që nxit transformimin e sistemit të qeverisjes globale, OBSh-ja po luan një rol gjithnjë e më jetik në praktikimin e multilateralizmit të vërtetë, duke mbrojtur shumëpolarizimin e barabartë e të rregullt në botë dhe globalizimin ekonomik përfshirës, duke tërhequr vëmendje të gjerë ndërkombëtare. Sipas sondazhit, 89.6 % e të anketuarve u bëjnë thirrje të gjitha vendeve të marrin pjesë në çështjet globale në mënyrë të barabartë dhe të formësojnë së bashku rregullat e rendin ndërkombëtar. Ata presin që OBSh-ja të ushtrojë ndikim më të madh në tre fusha kryesore: infrastrukturë e energjetikë, bashkëpunimin rajonal të sigurisë dhe mjedisin e ndryshimet klimatike.
Duke mbuluar vendet kryesore të zhvilluara dhe vendet kryesore të Jugut Global, sondazhi u krye me njerëz të zakonshëm të moshës 18 vjeç e lart, me mostra të përputhura me shpërndarjen e moshës dhe gjinisë bazuar në regjistrimin kombëtar në vendet përkatëse./cgtn




















































