Ambasada e SHBA ka publikuar në orët e vona të së enjtes (21.07) një njoftim sigurie duke theksuar se është në dijeni të një kërcënimi të mundshëm që synon Samitin Botëror të Iranit të Lirë. Samiti do të mbahet në kampin e muxhahedinëve iranianë në MEK, pranë Durrësit, Shqipëri në 23-24 korrik 2022
Ambasada e SHBA i ka bërë thirrje qytetarëve të saj që të shmangin këtë ngjarje, të monitorojnë mediat lokale, të mbajnë profil të ulët (të mos bëjnë postime në rrjete sociale) dhe të jenë të vetëdijshëm për çfarë i rrethon.
Samiti do të mbahet në kampin Ashraf, në afërsi të Manzës, rreth 30 km larg Tiranës. Atje kanë qytetin e tyre të paktën 3 mijë muxhahedinë që ndodhen në Shqipëri.
Pavarësisht këtij njoftimi për një akt të mundshëm terrorist sipas Ambasadës amerikane, nuk dihet nëse ky event do të zhvillohet apo jo.
Ndonëse qeveria shqiptare ka garantuar se për shqiptarët prania e muxhahedinëve në vendin tonë nuk përbën asnjë rrezik, tashmë pas kërcënimeve lartpërmendur ka ardhur koha për marrjen në konsideratë largimin e tyre nga Shqipëria.
Kujtojmë se kampi Ashraf në Manzë u vizitua para pak kohësh nga ish zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence, dhe nga ish Sekretari amerikan i Shtetit gjatë presidencës Trump, Mike Pompeo.
/Argumentum.al