Kryeministri Edi Rama deklaroi sot sot se “sulmi kibernetik mbi Shqipërinë është zmbrapsur përfundimisht dhe shërbimet për publikun të platformës e-Albania janë rikthyer masivisht”.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se ky është një agresion kriminal i organizuar, ku dyshohen dy shtete, por nuk përmendi emra.
“Kemi punuar ose më saktë skuadra e AKSHI ka punuar natë dhe ditë, ditë dhe natë. Do të kemi një konferencë të përbashkët kur gjithçka të ketë përfunduar dhe skuadra nga SHBA të mos ketë më nevoje të qëndrojë në tryezë.
Së pari sulmi nuk është një sulm nga hakera të zakonshëm dhe as nga grupe njerëzish të kësaj bote të errët që bëjnë shpesh herë ndërmarrje të tilla edhe ndaj shteteve shumë më të mëdha duke bllokuar dhe sisteme kritike për të vendosur gjoba të majme. Ky është një agresion i organizuar nga një shtet.
Nuk kemi ende të gjitha provat për të përcaktuar një prej dy shteteve të dyshuara, kjo është pjesa më delikate. Roli i disa burimeve të informacionit ka qenë destruktiv dhe i papranueshëm për një shoqëri demokratike të informacionit.
Kemi qenë në një luftë me agresor që bombardonte nga të gjitha anët rrjetet tona në hapësirën virtuale. Nuk mund të marrim përgojoj dy shtete. Ky sulm i fortë ka treguar forcën e sistemit tonë, është gjithçka që ndodh. Brenda kësaj fundjave do të risistemohet pas bombardimit”, tha Rama.
“ E dyta, është shumë e rëndësishme të thuhet se roli i disa burimeve të informacionit, me në krye Top Channel, ka qenë një rol destruktiv dhe rol i papranueshëm për një shoqëri demokraci të informacionit dhe fjalës së lirë. Nuk e kuptojmë arsyen pse Top Channel është angazhuar edhe me gjithë thirrjen time, personalisht, publike edhe në shprehjen e shqetësimeve të drejtpërdrejta për Top Channel në një fushatë disinformimi masiv, që në kushtet kur bëhet fjalë për të dhëna, në kushtet kur bëhet fjalë për shumëçka që lidhet me bazën e shtetit, me inventarin e dokumenteve, krijon panik”, theksoi Rama.
Nuk është në praktikën tonë të ndërmarrim hapa gjyqësorë ndaj mediave, shtoi Kryeministri, por është e pamundur të gjehet se pse dhe për më tepër se si mund të adresohen, sidomos në raste të tilla, lajthitje të këtyre përmasave.
“Nuk dua të bëj asnjë akuzë, as nuk dua të ngre asnjë teori konspiracioni se nuk është e nevojshme se boll e ka ngritur Top Channel dhe kush e ka ndjekur pas për të thënë gjëra tërësisht të pavërteta. “Jo është vënë një gjobë 30 milionë euro e qeveria duhet t’i paguajë, jo janë zhdukur pronat e këto e ato”. Tërësisht të pavërteta! Ndërkohë, duke iu thënë, edhe kanalet institucionale të informimit se këto janë të pavërteta, ju lutem, ky është një sulm, është një bombardim që nuk vjen nga qielli, por vjen përmes internetit. Një bombardim shumë i rëndë dhe koha e marrë për të ringritur të gjithë sistemet e bombarduara është në kohë rekord. Këto janë detaje që shpresoj do t’i dëgjoni edhe nga super ekspertët amerikanë që kemi pasur në këtë proces krah për krah”, tha Rama.
I pyetur nga gazetarët se kush janë këto dy shtete, Rama tha se nuk dua të spekuloj sepse është serioze dhe në momentin që do të kemi provat e mjaftueshme do të ndërmarrim pastaj edhe aksione konkrete të natyrës diplomatike. Ndaj cilido nga këto dy shtete që është autori i këtij agresioni kriminal ndaj Shqipërisë. Prandaj do më lejoni të jem i rezervuar arsyeja pse ne jemi përpjekur të informojmë publikun, por pa thënë gjithçka është sepse kemi qenë realisht në një luftë me një agresor që bombardonte nga të gjitha anët të gjitha sistemet tona, njësoj si të vinte të bombardonte Rusia sot, kanalizimet, rrjetin e ndriçimit por në hapësirën virutale”.
Pyetjes nëse do të ndërmerren aksione ndaj shtetit sulmues në momentin që do të identifikohet, Rama iu përgjigj se “me ato shtete nuk ka vend për të arsyetuar në mënyrë logjike që buron nga ligjet ndërkombëtarë, janë shtete që nuk duan të dinë për ligjin ndërkombëtar, por nga ana tjetër sigurisht që ne do duhet të marrim hapat tanë dhe prandaj nuk mund të marrim tani nëpër gojë dy shtete sepse pavarësisht se janë dy shtete jomiqësore me Shqipërinë nuk ka pse ai shtet prej tyre, që nuk është i përfshirë, të merret nëpër gojë sidoqoftë”.
/Argumentum.al