Me rastin e 20 gushtit, ditës së themelimit të shtetit të Hungarisë, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Kryetarit të Parlamentit të Hungarisë, Laszlo Kover.
“20 gushti i vitit 1083, Dita e themelimit të shtetit dhe Dita e Mbretit Stefan i Parë, themelues i Mbretërisë së Hungarisë, është një ngjarje e rëndësishme në historinë e kombit hungarez.
Populli shqiptar ushqen një respekt të thellë dhe ndjenja të forta miqësie më popullin hungarez. Marrëdhëniet diplomatike, të vendosura rreth një shekull më parë, në mars të vitit 1922, kanë afruar më shumë dy popujt dhe dy vendet tona.
Bashkëpunimi dypalësh midis midis Shqipërisë dhe Hungarisë është shumë i mirë dhe për këtë kanë shërbyer edhe vizitat e nivelit të lartë gjatë viteve të fundit. Marrëdhëniet politike janë të konsoliduara dhe të qëndrueshme dhe bashkëpunimi ekonomik e tregëtar vjen duke u rritur.
Shqipëria i është mirënjohëse Hungarisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin e madh në procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor. Vendimi i Këshillit Europian në mars të këtij viti për çeljen e negociatave me Shqipërinë është meritë e rezultat edhe i mbështetjes së fuqishme të Qeverisë së Hungarisë, Asamblesë Kombëtare dhe Tuajës personalisht.
Gjatë muajve të fundit Hungaria, ashtu si edhe Shqipëria dhe gjithë njerëzimi, po vuan pasojat e pandemisë, të cilat fatmirësisht për popullin hungarez nuk ishin shumë të rënda, dhe tashmë gëzohemi që Hungaria po del nga kjo situatë dhe po i kthehet normalitetit.
Shpreh bindjen se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi shumë i suksesshëm i Kuvendit të Shqipërisë dhe Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, do të rifillojë shumë shpejt dhe përfitoj nga ky rast për të përsëritur ftesën time për një vizitë zyrtare të Shkëlqesisë Suaj në Shqipëri, në një kohë sa më të afërt dhe në përputhje me agjendën Tuaj.”, shkruan në letrën e urimit Kryetari i Kuvendit, Ruçi.