Përpjekjet e shpëtimit dhe ndihmës vazhdojnë pas një tërmeti me magnitudë 7.0 ballë, që goditi kontenë Baqen të qytetit Nagqu në Rajonin Autonom Xizang të Kinës Jugperëndimore, bënë të ditur autoritetet vendore të shtunën.
Tërmeti, që ra në orën 22:33 të enjten, ka shkaktuar 16 të vdekur dhe 76 të plagosur, si edhe ka dëmtuar ose shkatërruar 339 shtëpi e 20 stalla bagëtish.
Deri në orën 11 të së shtunës, të 76 të plagosurit kanë marrë trajtim mjekësor në kohë, ndërsa gjendja e pesë nga 11 personat fillimisht të klasifikuar si të plagosur rëndë u përmirësua, sipas selisë së komandës vendore të emergjencës.
Ndërkohë, furnizimet e ndihmës dhe punonjësit e shpëtimit vazhdojnë të mbërrijnë në zonat e prekura. Deri në orën 11 të së shtunës, 52 450 njësi ose grupe furnizimesh të ndihmës në fatkeqësi ishin dërguar në zonën e tërmetit, ndërsa më shumë se 2 500 punonjës shpëtimi ishin të angazhuar në operacione ndihme.
foto nga Xinhua
Furnizimet përfshijnë 4 651 çadra, 2 000 shtëpi parafabrikate, 11 772 shtretër të palosshëm, 5 715 batanije dhe materiale të tjera të mbrojtjes nga i ftohti. Një dron i madh “Wing Loong” ka mbërritur gjithashtu në vend.
Autoritetet kanë krijuar 35 vende të përkohshme shpërnguljeje në zonën e katastrofës. Më shumë se 1 600 veta nga konteja Baqen, 347 zjarrfikës nga njësia e zjarrfikësve dhe shpëtimit e Nagqu-së, si edhe 530 oficerë policie nga zyra e sigurisë publike e Nagqu-së janë dislokuar, së bashku me automjete dhe qen kërkim-shpëtimi.

foto nga Xinhua
Trajtimi mjekësor dhe përpjekjet për shëndetin publik dhe parandalimin e epidemive po zhvillohen në mënyrë të rregullt, tha selia e komandës vendore të emergjencës.
Sipas saj, deri në orën 14:00 të së shtunës, ishin regjistruar 949 pasgoditje në zonat e prekura, përfshirë tetë me magnitudë nga 4.0 deri në 4.9 ballë dhe 33 me magnitudë nga 3.0 deri në 3.9 ballë.

foto nga Xinhua
Furnizimi me energji në zonën e goditur nga tërmeti u rikthye plotësisht të shtunën në mbrëmje, sipas Rrjetit Elektrik Shtetëror të Kinës.
Autoritetet vendore thanë që ndërtimi i grupit të parë të shtëpive parafabrikate në zonat e prekura nga tërmeti filloi rreth orës 2 të mëngjesit të së shtunës. Ndërsa mbërrijnë më shumë dhoma të parapërgatitura, banorët që aktualisht qëndrojnë në çadra, do të zhvendosen gradualisht në banesat e përkohshme me ngrohje më të mirë.

foto nga Xinhua
/cgtn





















































