Vendimi/ Rama i bindet Erdogan, nis mbyllja e financimeve gyleniste në arsim

Ministria e Arsimit ka mbyllur kopshtin privat “Zubyede Hanim” në Tiranë, institucion arsimor në varësi të rrjetit të institucioneve “Turgut Ozal”, që financohen nga kleriku turk, Fetullah Gylen.

Mbyllja është bërë me arsyetimin e shkeljes së rëndë të licencës, pasi sipas Ministrisë së Arsimit, godina ku ushtrohej aktiviteti nuk ishte pajisur me autorizimin përkatës nga ministria, shkruan Voxnews.al ku ka siguruar dhe vendimin nga qeveria.

Që prej grushtit të dështuar të shtetit të korrikut të 2016-s, Recep Taip Erdogan ka nisur fushatën e përndjekjes ndaj mbështetësve të klerikut Fetullah Gylen, që e akuzon si organizator të atij grushti.

Erdogan ka shpallur organizata terroriste fondacionet dhe institucionet e themeluara dhe të drejtuara nga Gylen, ndërsa pjesë e kësaj beteje është bërë edhe Shqipëria.

Prej vitesh Turqia kërkon mbylljen e shkollave të Gylen në Shqipëri, madje duke prezantuar në vend rrjetin e shkollave Maarif, që mbështeten nga Erdogan. Ky i fundit dyshohet se qëndron pas shtyrjes së vazhdueshme të hapjes së Xhamisë së Namazgjasë, pasi akuzon se në krye të Komunitetit Mysliman Shqiptar janë mbështetësit e Gylenit.

/Argumentum.al