Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) e miraton unanimisht me 9 vota PRO, emrin e Aida Hajnajt për të qenë në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH)
KLP emëron unanimisht drejtuese të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj. Ajo arriti të kalojë të gjitha etapat e kandidimit për drejtimin e strukturës hetimore të SPAK, strukture e ngjashme më FBI-në amerikane.
Nga 40 kandidatë për pozicionin e kreut të BKH në fazën fundore mbërritën vetëm 4 vetë, Hajnaj dhe kolegët e saj Ervin Hodaj, Artur Beu dhe Idajet Faskaj. Pjesa tjetër u skualifikuan më fazat e konkurrimit, nga kriteret ligjore, testet e inteligjencës, ato fizike, si edhe përballimin me makinën e të vërtetës.
Kandidatët finalistë Hodaj, Beu e Faskaj u skualifikuan në filtrin fundor, që ishte një verifikim i hollësishëm i tyre në trajtën e një vetingu. Pas miratimit me shumicë të thjeshtë të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Aida Hajnaj emërohet në krye të BKH për një mandat 5-vjeçar.