OKB zhvilloi të martën një takim përkujtimor për Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit me Popullin Palestinez. Presidenti i Kinës Xi Jinping dërgoi një mesazh urimi me këtë rast.
Xi Jinping u shpreh se çështja e Palestinës është thelbi i problemit të Lindjes së Mesme, që ka të bëjë me drejtësinë ndërkombëtare, e cila ushtron ndikim mbi situatën rajonale.
Në situatën aktuale, bashkësia ndërkombëtare duhet të arrijë një konsensus dhe të ndërmarrë veprime më aktive, për të siguruar një armëpushim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm në Gaza dhe për të parandaluar rifillimin e luftimeve. Duhet të zhvillohet qeverisja pas luftës dhe rindërtimi i Gazës sipas parimit të “qeverisjes së Palestinës nga palestinezët”, duke respektuar dëshirat e popullit palestinez dhe shqetësimet e arsyeshme të vendeve rajonale.
Situata humanitare në Gaza duhet të përmirësohet sa më shpejt, për të lehtësuar vuajtjet e popullit palestinez. Është me rëndësi të përcaktohet drejtimi i zgjidhjes politike të çështjes së Palestinës sipas “zgjidhjes me dy shtete”.
Presidenti Xi Jinping theksoi se çështja e Palestinës është gjithashtu një provë për efikasitetin e sistemit të qeverisjes globale. Kina i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të përballet me rrënjët e problemit të Palestinës, të mbajë përgjegjësinë e duhur dhe të ndërmarrë veprime të fuqishme për të korrigjuar padrejtësinë historike duke mbrojtur drejtësinë ndërkombëtare.
Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina mbështet fuqimisht çështjen e drejtë të popullit palestinez për rivendosjen e të drejtave të ligjshme kombëtare. Kina do të vazhdojë të punojë me bashkësinë ndërkombëtare, për të promovuar një zgjidhje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes së Palestinës./CGTN





























































