Gjatë inspektimit të punës të mërkurën në Shangai presidenti kinez Xi Jinping theksoi se përditësimi cilësor urban hedh themelin për modernizimin urban dhe se duhet të vihet në praktikë koncepti i “qytetit të njerëzve”, për të rritur pandërprerë lumturinë dhe sigurinë e qytetarëve.
Të mërkurën pasdite, Xi Jinping-u vizitoi lagjen “Shimin Xincun” të nëndistriktit të rrugës “Bansongyuan” në distriktin Huangpu.
Nëpërmjet rinovimit, katër pallate banimi të ndërtuara në vitet ’50 të shekullit të kaluar në këtë lagje janë pajisur me kuzhina e banjo të veçanta dhe ashensorë, dhe kushtet e banimit janë përmirësuar dukshëm. Presidenti Xi hyri në pikën e shërbimeve të lagjes, ku dëgjoi paraqitjen për punën e bashkisë së qytetit Shangai për rinovimin e pallateve të vjetra pa pajisje sanitare, duke i pyetur punonjësit e pranishëm për gjendjen përkatëse. Xi theksoi se Komiteti Qendror i PKK-së i kushton rëndësi të madhe punës urbane dhe ka shpallur objektivin për ndërtimin e qyteteve moderne inovative, të jetueshme, të bukura, të qytetëruara e të zgjuara. Për këtë, rinovimi i lagjeve të vjetra të qyteteve është një hallkë e rëndësishme. Duhet të zgjidhen një pas një vështirësitë e banorëve, duke ngritur pandërprerë nivelin e menaxhimit të lagjeve e të shërbimit për të rritur lumturinë e banorëve, theksoi ai.
Xi Jinping-u inspektoi edhe punën e furnizimit me perime e fruta në lagje dhe shkëmbeu mendime me banorë, kuadro dhe punonjës të lagjes. Ai vuri në dukje se lagjja është një njësi themelore në sistemin e qeverisjes urbane dhe duhet të ngrihet niveli i qeverisjes së saj e të ndërtohet një mjedis i përshtatshëm jetese në shërbim të banorëve.
Gjatë inspektimit, kreu i shtetit i Kinës theksoi gjithashtu se tani është periudha kyçe e parandalimit të përmbytjeve dhe duhet të ndiqet nga afër gjendja e reshjeve, përmbytjeve dhe tajfunit e të shmangen rreziqet e mundshme, për të mbrojtur sigurinë e jetës dhe pasurisë të qytetarëve





























































