Komisioni i Rithemelimit po zhvillon sot zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike, ku garojnë ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-kryetari i PD-së në Kukës, Ibsen Elezi.
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale pranë Partisë Demokratike njoftoi sot se procesi i votimit nisi në orën 8.00 e do të mbyllet në orën 18.00.
Nëse në orën 18.00 do të ketë anëtarë të PD që ende nuk kanë votuar, Qendrat e Votimit nuk do të mbyllen derisa të ketë votuar edhe personi i fundit.
Kandidatët për Kryetar sipas renditjes në fletën e votimit janë: Sali Berisha dhe Ibsen Elezi.
Anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD do të votojnë në njërën prej dy qendrave të votimit në Selinë Qendrore të Partisë Demokratike, ose në degët ku ata janë të deleguar pasi të kenë njoftuar pranë Komisionit.
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, njoftoi procesi ka filluar e vijon normalisht.
Komisioni do të qëndrojë i mbledhur deri në fund të procesit të votimit, derisa të votojë edhe anëtari i fundit i PD për të monitoruar si dhe për të marrë cdo masë në kohë reale për cdo problematikë apo nevojë që mund të kenë degët.
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale fton të gjithë anëtarët e PD të bëhen pjesë e procesit të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të PDSH me parimin “një anëtar një votë”.