Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian.
Kryeministri Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga ky takim në selinë e Kryeministrisë, ndërsa bëri të ditur se u diskutua mbi forcimin e mëtejshëm të rolit të Shqipërisë në aleancë, sfidat e sigurisë në rajon dhe kontributin tonë aktiv në NATO.
“Kënaqësi të mirëpres Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me të cilin diskutuam mbi forcimin e mëtejshëm të rolit të Shqipërisë në Aleancë, sfidat e sigurisë në rajon dhe kontributin tonë aktiv në NATO”, u shpreh Rama.
Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Europian nis sot punimet në Tiranë nën logon “New Europe in a new world”, duke shënuar takimin e tij për herë të parë në Ballkanin Perëndimor me pjesëmarrjen e liderëve, kryetarë shtetesh dhe qeverish nga 47 vende europiane, së bashku me drejtuesit e institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare.
Mikpritësi i Samitit, Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë gjatë ditës takime dypalëshe me 10 prej personaliteteve pjesëmarrëse në këtë samit, si dhe do të mirëpresë me takime duarsh të gjithë liderët e ftuar në Samit me të cilët do të ketë edhe një foto familjare.
/Argumentum.al