Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, thirri sot (28.09) mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, ku u diskutua situata aktuale dhe ndikimi i zhvillimeve të fundit mbi veprimtarinë e institucioneve të sigurisë.
Përveç anëtarëve të përcaktuar me ligj, në mbledhje u ftuan edhe Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Diskutimet u përqendruan te forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, koordinimi me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, si dhe ruajtja e besimit të qytetarëve te institucionet e shtetit.
Në përfundim të mbledhjes, u theksua se institucionet e sigurisë nuk duhet të konkurrojnë me njëra-tjetrën, por të bashkëpunojnë në funksion të të njëjtit interes: sigurisë kombëtare dhe interesit të Republikës së Shqipërisë.
Sipas konkluzioneve të takimit, çdo mosbesim institucional duhet të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional.
Në fokus ishte edhe pavarësia e hetimeve të drejtësisë. U nënvizua se hetimet duhet të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjitha institucionet, ndërsa çështjet individuale nuk duhet të shndërrohen në krizë besimi ndaj shtetit dhe institucioneve të sigurisë.

Këshilli vlerësoi gjithashtu nevojën për forcimin e standardeve, kontrollit, transparencës, llogaridhënies dhe bashkëpunimit institucional, me synim që qytetarët të kenë besim se institucionet janë në gjendje të korrigjojnë vetveten dhe të mbrojnë interesin publik.
“Shqipëria ka institucione, ka partnerë dhe aleatë ndërkombëtarë, ka profesionistë dhe kapacitete”, thuhet në përfundimet e mbledhjes, duke kërkuar që institucionet e Republikës të punojnë së bashku për forcimin e shtetit, sigurisë kombëtare dhe besimit të qytetarëve.
Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor i Presidentit të Republikës dhe e mbështet atë në ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore. Ai nuk merr vendime, ndërsa mbledhjet zhvillohen të mbyllura.
© 2026 Argumentum





















































