Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Projektligji është miratuar me 91 vota për, ndërsa në votim nuk ka marrë pjesë Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Nisma për ndryshimin e ligjit është dorëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa pak para fillimit të seancës, Komisioni për Legjislacion e kishte miratuar unanimisht projektligjin, me nëntë vota për, pa vota kundër dhe pa abstenime.
Kryeministri Albin Kurti tha se ndryshimet duhet të trajtohen me kujdes dhe jo me nguti, por bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do ta mbështesë projektligjin. Ai tha se LVV-ja nuk është e bindur për dobishmërinë e tij, por nuk do ta pengojë miratimin në lexim të parë.
“Ne nuk jemi të bindur për dobinë e këtij ligji. E dimë që ju besoni në të dhe ne duam të besojmë besimin tuaj”, tha Kurti.
Kurti theksoi se beteja juridike për rastet në Hagë duhet të zhvillohet përmes apelit dhe një strategjie shtetërore e kombëtare.
“Të nderuar kolegë nga Qeveria dhe deputetë të Kuvendit, adresë e fitores është Apeli. Aty dilet triumfues. E për fitore nevojitet organizim dhe strategji”, tha Kurti.
Ai tha se mbështetja për projektligjin duhet të shërbejë si pikënisje për një strategji të përbashkët për rastet në Hagë.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se çështja e Dhomave të Specializuara lidhet me historinë dhe të ardhmen e Kosovës. Ai tha se nuk po kërkojnë mbylljen e Gjykatës Speciale, por llogaridhënie.
“Nuk po kërkojmë ta mbyllim Gjykatën, po kërkojmë llogaridhënie”, tha Hamza.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se me ndryshimet e propozuara synohet që krimet e luftës të hetohen dhe gjykohen në Kosovë, ndërsa Dhomat e Specializuara të vazhdojnë të kenë kompetencë për pretendimet për trafikim organesh.
Sipas Grudës, ndryshimet nuk prekin Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, ndërsa kompetencat për krimet e luftës do t’u ktheheshin institucioneve të drejtësisë në Kosovë.
Në anën tjetër, LDK-ja nuk e mbështeti nismën. Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, tha se një aktgjykim mund të ndryshohet vetëm përmes rrugës gjyqësore dhe mjeteve juridike të përcaktuara me ligj.
“Për LDK-në, rruga e vetme për ta ndryshuar një aktgjykim është rruga gjyqësore përmes apelit dhe shterimit të mjeteve juridike të parapara me ligj”, tha Lushaku Sadriu.
Ajo paralajmëroi edhe për pasoja të mundshme juridike, politike dhe ndërkombëtare nga ndryshimi i ligjit dhe kërkoi koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë.
Deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se LVV-ja ishte kundër themelimit të Dhomave të Specializuara dhe se të njëjtin qëndrim e ka edhe sot, por deklaroi se do ta mbështesë këtë përpjekje.
“Apeli duhet të trajtohet me seriozitetin më të madh. Pasojat e këtij procesi kanë shkuar përtej sallës së gjyqit. Ndryshimi i ligjit sot nuk e zhbën këtë dëm. UÇK-ja nuk mund të identifikohet me këtë lloj aktgjykimi”, tha Nagavci.
Në votimin për shmangien e procedurave të rregullta për miratimin e projektligjit, deputetët e LDK-së nuk morën pjesë.
Në seancë nuk morën pjesë as deputetët e Listës Serbe, ndërsa nuk ishin të pranishëm as deputeti Lazar Raduloviq dhe ministri Nenad Rashiq.
Çfarë ndryshon me ligjin e ri për Gjykatën Speciale?
Me ndryshimet ligjore të propozuara parashihet kufizimi i mandatit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke e lidhur atë me veprat penale të përcaktuara në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011.
Sipas ndryshimeve, Gjykata Speciale do të vazhdonte të trajtonte pretendimet për trafikim organesh gjatë luftës në Kosovë, të përfshira në raportin e senatorit zviceran Dick Marty, mbi bazën e të cilit u themeluan Dhomat e Specializuara.
Një tjetër ndryshim prek periudhën kohore të juridiksionit të Gjykatës, e cila do të kufizohej nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000, nga periudha aktuale janar 1998–dhjetor 2000.
Projektligji parashikon gjithashtu një dënim maksimal prej 15 vitesh burgim, vuajtjen e dënimeve në institucionet korrektuese të Kosovës dhe mundësinë e faljes presidenciale për personat e dënuar me vendim të formës së prerë.
Rastet që nuk do të përfshiheshin më në juridiksionin e Gjykatës Speciale do t’i transferoheshin sistemit gjyqësor të Kosovës, së bashku me dosjet, provat dhe materialet përkatëse.
Konteksti politik i brendshëm
Ndryshimet ligjore shqyrtohen në një moment të ndjeshëm politik në Kosovë, një ditë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Kuvendi i Kosovës e miratoi projektligjin në lexim të parë, ndërsa për miratimin përfundimtar pritet leximi i dytë.
Mandati i Vjosa Osmanit ka përfunduar në prill. Pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, Kuvendi zgjodhi qeverinë e re të drejtuar nga Albin Kurti, por ende nuk ka arritur të zgjedhë presidentin e ri. Nëse deri në mesnatën e 6 tetorit Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin ose presidenten, parlamenti do të shpërndahet automatikisht dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
© 2026 Argumentum




















































