Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) në Kosovë u ka bërë thirrje mediave që, në kushtet e protestave dhe tensioneve publike, të raportojnë me saktësi, të verifikojnë informacionet dhe të shmangin titujt senzacionalistë apo publikimin e pretendimeve të pakonfirmuara.
KPM thekson se mediat duhet të bëjnë dallimin mes fakteve, pretendimeve dhe opinioneve, si dhe të shmangin raportimet që mund të nxisin dhunë, tensione apo polarizim.
Në komunikatën për media, KPM sqaron se kjo thirrje nuk synon kufizimin e lirisë së medias, por kërkon që ajo të ushtrohet me përgjegjësi, veçanërisht në një situatë të ndjeshme.
“Publiku meriton të dijë çfarë ka ndodhur, çfarë është konfirmuar dhe çfarë mbetet ende për t’u verifikuar”, thuhet në komunikatë.
KOMUNIKATË PËR MEDIA
Thirrje për raportim të përgjegjshëm, profesional dhe me ndjeshmëri
Në një kohë kur në vend po zhvillohen protesta dhe kur situata publike është veçanërisht e ndjeshme, KPM u bën thirrje të gjitha mediave dhe profesionistëve të gazetarisë që në raportimin e tyre të udhëhiqen nga parimet e saktësisë, paanshmërisë, profesionalizmit, verifikimit të fakteve dhe përgjegjësisë ndaj publikut.
Në situata të tilla, roli i medias është veçanërisht i rëndësishëm. Publiku ka nevojë për informacion të saktë, të verifikuar dhe të kontekstualizuar, e jo për raportime që mund të shkaktojnë konfuzion, tensione të panevojshme apo polarizim të mëtejshëm të shoqërisë.
Prandaj, KPM u bën thirrje mediave:
Të raportojnë me saktësi dhe në mënyrë të paanshme, duke verifikuar informacionet para publikimit;
Të shmangin titujt, formulimet dhe materialet senzacionaliste që mund të krijojnë perceptime të rreme ose të deformojnë zhvillimet;
Të mos publikojnë informacione të pakonfirmuara, thashetheme apo pretendime të paraqitura si fakte;
Të ofrojnë kontekst të plotë, duke shmangur raportimet e pjesshme apo të njëanshme që mund të çojnë në keqinterpretim të ngjarjeve;
Të shmangin çdo formë të raportimit që, drejtpërdrejt ose tërthorazi, mund të nxisë dhunë, urrejtje, konfrontim apo tensione ndërmjet qytetarëve;
Të tregojnë kujdes të veçantë në përdorimin e pamjeve, deklaratave dhe materialeve që mund të ndikojnë në tensionimin e situatës;
Të respektojnë të drejtën e publikut për t’u informuar, por edhe përgjegjësinë që vjen me fuqinë për të ndikuar në perceptimin dhe reagimin e opinionit publik;
Të bëjnë dallim të qartë ndërmjet faktit, pretendimit, opinionit dhe interpretimit.
Kjo thirrje nuk është thirrje për kufizimin e lirisë së medias apo të së drejtës për informim. Përkundrazi, është një thirrje për ushtrimin e këtyre të drejtave me përgjegjësi, profesionalizëm dhe respekt ndaj interesit publik.
Në momente të tensionuara, fjalët kanë peshë të veçantë. Një raportim i pakujdesshëm mund të keqinformojë, një titull senzacional mund të nxisë reagime të panevojshme, ndërsa një raportim i njëanshëm mund të thellojë ndarjet në shoqëri.
Prandaj, u bëjmë thirrje të gjitha mediave që, në këtë periudhë të ndjeshme, të kontribuojnë në informimin e qytetarëve dhe jo në dezorientimin e tyre; në qetësimin dhe sqarimin e situatës dhe jo në përshkallëzimin e saj; në forcimin e debatit demokratik dhe jo në thellimin e polarizimit shoqëror.
Publiku meriton të dijë çfarë ka ndodhur, çfarë është konfirmuar dhe çfarë mbetet ende për t’u verifikuar.
Në këtë frymë, besojmë se mediat do ta ushtrojnë rolin e tyre me standardet më të larta profesionale dhe me ndjeshmërinë që kërkon situata.
Informimi i saktë është përgjegjësi. Në kohë tensionesh, kjo përgjegjësi bëhet edhe më e madhe.
© 2026 Argumentum




















































