Të dielën përfundoi në Hangzhou të Kinës lindore konkursi i dyluftimit të robotëve, i organizuar nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG). Ky është konkursi i parë i dyluftimit të robotëve humanoidë në botë. Gjithashtu është një shfaqje shkencore për publikun global. Konkursi u transmetua direkt në kanalet dhe platformat e ndryshme të mediave të reja të CMG-së.
Në konkurs, robotët humanoidë ekzekutuan lëvizje të sakta nën komandimin e algoritmeve të kontrollit të Lëvizjes. Ata mundën të kryenin me shpejtësi lëvizje të vazhdueshme si grushtime, shqelmime, shmangie etj. duke shfaqur ekuilibër të shkëlqyer, goditje të sakta dhe shmangie të shkathët. Edhe nëse rrëzoheshin në dyluftim, robotët ngriheshin në këmbë brenda pak sekondave në mënyrë autonome.
Gjatë finales, roboti “AI Llogaritar” mposhti kundërshtarin “Qendra e Energjisë” dhe fitoi titullin kampion.
Konkursi i dyluftimit të robotëve, jo vetëm dëshmoi teknologjinë e kontrollit të saktë të lëvizjeve të robotëve dhe aftësinë e ekuilibrit dinamik në një mjedis të ndërlikuar lëvizës, por shfaqi edhe teknologjinë e përparuar të Kinës në fushën e robotëve humanoidë.
Ky konkurs është një praktikë e rëndësishme e evolucionit të njerëzve dhe robotëve. Drejtori i laboratorit të robotëve inteligjentë të Institutit të Shkencave Kompjuterike të Universitetit të Pekinit, Wang Tao u shpreh se qëllimi i zhvillimit të industrisë së robotëve duhet të jetë t’i shërbejë sa më mirë njerëzimit. Në të ardhmen, robotët inteligjentë mund të përdoren gjerësisht në fushën e inspektimit, patrullimit, shpëtimit emergjent, prodhimit industrial, shërbimeve në shtëpi, etj.
Sot, robotët po bëjnë përparime të shpejta në inteligjencën artificiale, bashkëpunimin njeri-makinë, projektimin dhe prodhimin mekanik etj. Kina ka një epërsi sistematike në integrimin e zinxhirit të industrisë së robotëve.