Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish të zgjedhë kryetarin e ri të legjislaturës së nëntë. Pavarësisht thirrjes për përmbushjen e obligimeve kushtetuese brenda 30 ditësh, kandidati i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Hekuran Murati, nuk mori mbështetjen e nevojshme nga deputetët.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të publikuar të plotë ditën e djeshme, thirri partinë e parë, Lëvizjen Vetëvendosje të propozojë kandidatin e tyre për kryeparlamentar.
Deputetja Donika Gërvalla propozoi në mënyrë të hapur kandidatin Hekuran Murati për kryetar të Kuvendit, por ai nuk mori mbështetjen e nevojshme për t’u emëruar në këtë pozitë. Nga 115 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm 57 vota ishin pro emërimit të Muratit për kryetar, 58 kundër dhe vetëm gjashtë deputetë abstenuan.
“Kandidati nuk ka marrë votat e nevojshme, andaj ndërpritet për sot seanca dhe shihemi më 24 gusht në orën 11:00”, theksoi Dehari.
Opozita tha se Lëvizja Vetëvendosje qëllimisht po propozon për kryetar të Kuvendit kandidatë të cilët nuk e kanë mbështetjen e tyre, duke e mbajtur të bllokuar konstituimin e këtij institucioni legjislativ.
Në aktgjykimin e publikuar të Gjykatës Kushtetuese u bë e qartë se deputetët duhet ta zgjedhin kreun e ri të institucionit legjislativ brenda 30 ditëve, afat që nisë të rrjedhë nga 19 gushti.
Aty thuhet se Kushtetuesja ka përcaktuar që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në 3 herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.
Kushtetuesja konstatoi se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025 të Gjykatës Kushtetuese dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 i shpalli të pavlefshme.
Deputetët e Legjislaturës së Nëntë nga 15 prilli deri më 26 korrik 2025 mbajtën 54 vazhdime të seancës konstituive, pa rezultat në konstituimin e plotë të institucionit legjislativ.