Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar sot Dimal Bashën për zgjedhjen e tij në krye të Kuvendit të Kosovës. Në një reagim në rrjetet sociale, presidenti Begaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë institucional dhe politik mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Bashkëpunimi politik dhe institucional është një domosdoshmëri që uroj dhe shpresoj të vijojë në të mirë të Kosovës dhe qytetarëve të saj,” shkruan kreu i shtetit shqiptar, duke përgëzuar institucionet kosovare për tejkalimin e ngërçit parlamentar.
Edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka uruar sot homologun e saj të sapozgjedhur në Kosovë. Në një postim në rrjetet sociale, ajo e përgëzoi Kuvendin e Kosovës për hapin e rëndësishëm drejt ndërtimit të institucioneve demokratike pas zgjedhjeve.
“Mezi pres të rifillojmë bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, për të mirën e qytetarëve tanë, për mbështetjen e integrimit euroatlantik të dy vendeve tona dhe për garantimin e të drejtave të shqiptarëve në rajon,” theksoi Spiropali.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, u zgjodh sot kryetar i Kuvendit të Kosovës në përpjekjen e 58-të për konstituimin e tij. Propozimi i Vetëvendosjes u miratua me 73 vota pro, 30 kundër dhe 3 abstenime, me mbështetjen e një pjese të deputetëve të PDK-së, AAK-së dhe përfaqësuesve të pakicave. LDK dhe Lista Serbe votuan kundër.
Zgjedhja e Bashës vjen pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që i hapi rrugën përfundimit të ngërçit institucional. Seanca e sotme ishte e katërta që zhvillohej pas këtij vendimi, duke përmbyllur me sukses një proces të gjatë dhe të vështirë politik në Kosovë.
/Argumentum.al