Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që do të zhvillohet në Nju-Jork nga data 22 deri më 27 shtator 2025.
Pjesëmarrës në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, Presidenti Begaj do të drejtojë delegacionin shqiptar dhe do të mbajë fjalën e tij në debatin e përgjithshëm të Asamblesë, ku do të prezantojë qëndrimet e Shqipërisë mbi disa prej çështjeve më të rëndësishme globale. Këtu përfshihen paqja dhe siguria ndërkombëtare, mbështetja për multilateralizmin, zhvillimi i qëndrueshëm dhe promovimi i të drejtave të njeriut.
Pjesë e agjendës së tij janë gjithashtu takimet dypalëshe me homologë të tij dhe përfaqësues të lartë të OKB-së, si dhe vizita në shkolla që mbështesin fëmijët e Diasporës shqiptare në SHBA. Presidenti Begaj do të shfrytëzojë gjithashtu mundësinë për të rritur lidhjet dhe bashkëpunimin me përfaqësues të Diasporës shqiptare.
Nga ana tjetër, Ministrja Elisa Spiropali do të jetë e pranishme në hapjen e debatit të përgjithshëm, me mesazhin “Më mirë së bashku: 80 vite dhe më shumë për paqe, zhvillim dhe të drejtat e njeriut”. Ajo do të marrë pjesë gjithashtu në takimin vjetor të Platformës për Gratë Lidere të Asamblesë së OKB-së, me ftesë të presidentes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Annalena Baerbock.
Ministrja Spiropali do të angazhohet gjithashtu në disa takime shumëpalëshe dhe bilaterale, duke përfaqësuar Shqipërinë në diskutime të rëndësishme për çështjet e sigurisë ndërkombëtare, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ajo do të vijojë të promovojë diplomacinë shumëpalëshe dhe mbështetje për zgjidhje të qëndrueshme të sfidave globale.
/Argumentum.al