Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë uroi sot Kryeministrin Edi Rama dhe të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar për marrjen e detyrës.
Në një reagim në rrjetet sociale, delegacioni i BE-së në Tiranë shpreh bindjen se duke zbatuar reformat, Shqipëria mund të realizojë objektivin ambicioz të mbylljes së negociatave deri në fund të vitit 2027.
“Me një përpjekje të qëndrueshme për të miratuar dhe zbatuar reformat e nevojshme përmes proceseve transparente dhe gjithëpërfshirëse, Shqipëria mund të arrijë objektivin ambicioz për të mbyllur negociatat e anëtarësimit në BE deri në fund të vitit 2027”, shprehet Delegacioni i BE-së në Tiranë.
“Në pritje për të punuar me të gjithë aktorët shqiptarë për të arritur këtë moment historik, në të mirë të qytetarëve shqiptarë”, nënvizoi delegacioni i BE-së në Tiranë.
Kabineti i ri qeveritar u betua në 19 shtator para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke marrë kështu zyrtarisht detyrën. Përbërja e kabinetit të ri qeveritar mori miratimin e Kuvendit në seancën plenare të 18 shtatorit me 82 vota pro, ndërsa opozita bojkotoi votimin.