Qeveria e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut të Kinës (HKSAR) mbajti të mërkurën një ceremoni të ngritjes së flamurit dhe një pritje për të festuar 76-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës.
Ceremonia e ngritjes së flamurit u mbajt në sheshin “Bauhinia e artë” të mërkurën në mëngjes. Gjatë saj u luajt himni kombëtar dhe u ngritën flamuri kombëtar i Kinës dhe flamuri i HKSAR-it.
Pas ceremonisë, një pritje madhështore u organizua nga qeveria e HKSAR-it në Qendrën e Konferencave dhe Ekspozitave të Hong-Kongut.
Në fjalimin e tij në pritje, John Lee, kryeekzekutiv i HKSAR-it, tha se Kina mbetet e përkushtuar për hapjen dhe zhvillimin me cilësi të lartë, duke ofruar mençurinë kineze për reformën e sistemit të qeverisjes globale dhe duke demonstruar përgjegjësinë e vet si një fuqi e madhe.
Lee theksoi ngritjen e Hong-Kongut në renditjet ndërkombëtare. Ky përparim jo vetëm ka treguar që qeverisja e HKSAR-it është në rrugën e duhur dhe ka pasqyruar përpjekjet e përbashkëta të qeverisë dhe banorëve të Hong-Kongut, por gjithashtu ka dëshmuar besimin e bashkësisë ndërkombëtare për perspektivën ekonomike të Hong-Kongut, si edhe gjallërinë e tij të fortë mbi bazën e parimit “Një vend, dy sisteme,” u shpreh ai.
“Jam i bindur që, duke punuar bashkërisht, duke inovuar e përqafuar reformat, do ta kthejmë Hong-Kongun tonë të dashur në një vatër edhe më të mirë për të gjithë. Perla e Orientit do të shkëlqejë më shumë se kurdoherë,” tha Lee./CGTN





























































