Kryeministri Edi Rama ka përsëritur për të pestën ditë radhazi ftesën për dialog me studentët dhe protestuesit, duke zgjedhur këtë herë një tryezë betoni në formën e sofrës, me fjalën “Dialog” të shkruar mbi të.
Para Kryeministrisë janë vendosur ulëse në formë jastëkësh, në një tjetër përpjekje të kreut të qeverisë për t’i ftuar protestuesit në bisedime. Por, deri më tani, ftesat e tij nuk kanë sjellë një ulje në tryezën e dialogut.
Ftesa e parë e Ramës erdhi përmes karrigeve të kuqe të vendosura para Kryeministrisë, të cilat u përmbysën dhe u thyen nga protestuesit. Ftesa e dytë u shoqërua me karrige të zeza, të cilat gjithashtu u thyen. Në përpjekjen e tretë, karriget u zëvendësuan me cilindra betoni, që përfunduan të përmbysur. Ftesa e katërt erdhi sërish përmes cilindrave të betonit, kësaj here të pajisur me shilte të kuqe, të cilat u dogjën nga studentët. Sot, në përpjekjen e pestë, Rama u shtron protestuesve një sofër betoni me fjalën “Dialog” të shkruar mbi të.
Nga karriget te cilindrat e betonit e deri te sofra, Rama ndryshon formën e ftesës, por deri tani nuk ka arritur t’i ulë studentët në tryezën e dialogut. Simbolika e sofrës, me kthimin te një element tradicional shqiptar, shënon një tjetër përpjekje për të hapur komunikimin, në një kohë kur protesta vijon dhe kërkesa e protestuesve mbetet e pandryshuar.
Protesta e sotme zhvillohet në një ditë kur Partia Demokratike ka thirrur protestë kombëtare, ndërsa paralelisht vijojnë mobilizimi i studentëve dhe pjesëmarrja e grupeve të tjera, përfshirë mjekë e qytetarë.
Përballë simbolikës së re të sofrës, mbetet e hapur pyetja nëse ftesa e pestë për dialog do të sjellë një zhvillim të ri, apo do të mbetet një tjetër episod në përplasjen mes qeverisë dhe protestuesve.
Rama u shtron “sofrën” protestuesve, ftesa e pestë për dialog me studentët
© 2026 Argumentum





















































