Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë ka bërë një apel publik drejtuar Bashkisë së Bulqizës dhe Njësisë Administrative Trebisht për ndërhyrje të menjëhershme në rrugën që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut në pikën kufitare Trebisht–Xhepisht, në zonën e Gollobordës.
Sipas shoqatës, rrëshqitja e dheut në këtë segment rrugor ka bllokuar qarkullimin dhe ka vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e përditshme të banorëve të zonës, duke penguar njëkohësisht komunikimin dhe lidhjet ndërkufitare mes dy vendeve.
Shoqata thekson se situata kërkon ndërhyrje urgjente për të garantuar sigurinë rrugore dhe një trafik të lirë e të papenguar për qytetarët që përdorin këtë aks të rëndësishëm lidhës.
Në emër të Shoqatës Maqedonase “Ilinden”-Tiranë, kryetari Nikolla Gjurgjaj u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin masa sa më parë për zgjidhjen e problemit pasi kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në jetën sociale dhe ekonomike të banorëve të zonës.
© 2026 Argumentum





























































